Për një vit rreth 2,700 viktima të dhunës në familje
Dhuna në familje viteve të fundit në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2023 kanë qenë mbi 2,700 raste të dhunës në familje, me numër më të lartë të gjinisë femërore. Psikologë e sociologë konsiderojnë se pasojat e dhunës në familje janë të mëdha, përfshirë edhe agresivitetin e jo socializimin që ato viktima mund të pësojnë.
Dikur shtëpia konsiderohej streha më e sigurtë dhe e rehatshme po thujase për secilin, por me kalimin e kohës dhe ndryshimeve në shoqëri, pikërisht kjo vatër është bërë sinonim I dhunës. Këtë ë vërtetojnë edhe statistikat e Policisë së Kosovës, sipas të cilave në vitin 2023, u regjistruan mbi 2, 700 raste të dhunës në familje, ku në të shumtën e rasteve viktimat ishin femra.
“Gjatë vitit 2023, janë evidentuar 2717 viktima të dhunës në familje, prej tyre 2120 femra dhe 597 meshkuj”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Janë shumë faktorë që kanë ndikuar në përhapjen e kësaj dukuri të shëtuar në shoqërinë tonë, thotë Vehbi Mujku nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale.
“Institucionet duhet të plotësohen me staf dhe të kenë staf profesionist adekuat sepse janë në mungesë të stafit, njëkohësisht edhe dënimet për kryesit e veprës duhet të jenë shume rigoroze dhe të zbatohen ato dënimë sepse në shumicën e rasteve po shohim që kemi thyerje të urdhërit të mbrojtjes dhe në secilin rast të zbatohet vendimi i gjykatës sidomos rastet recidiviste duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh”, tha Mujku për RTV21.
Dhuna në familje lë pasoja të mëdha tek viktimat, thotë psikologu Petrit Thaçi, sipas të cilit, nuk përjashtohet mundësia që një person që ka përjetuar dhunë të jetë i dhunshëm ndaj të tjerëve, ose të distancohet nga jeta sociale, duke e humbur funksionin në shoqëri.
“Dhuna provokon gjendje problematike, emocionale, nivel traumatik, pra ç’rregullime të ankthit të shtyjë personat në gjendje depresive dhe frikëra të mëvonshme rreth vetës së tij, çasjet sociale, konceptet e përgjithshme për vetën se kush jam unë, sa jam i pranuar unë, sa jam i rrezikuar unë. Me kë mund të bisedoj, me kë mund të bashkëpunoj dhe kujt mund t’i besoj në njëfarë mënyre. Pra, i cënon këto koncepte për jetën përgjithësisht për jetën në vazhdim”, tha Thaçi për RTV21.
Ndërsa për ndikimin negativ të dhunës në familje tek fëmijët, sociologia, Flaka Ymeri, nuk e përjashtin mundësinë që ata një ditë të bëhen dhunues potencial.
“Faktorët të cilët na sjellin tek dhuna mund të jenë të shumtë duke filluar nga edukimi familjar e pastaj faktorët të cilët mund të na çojnë se nëse një fëmijë rritet në ambiente të dhunës mund të jetë potencial konkret për dhunë”, tha Ymeri.
Çështja e mbështetjes së viktimave të rasteve të dhunës në familje, është e rregulluar me ligje dhe akte nënligjore, por, ankesat e viktimave të dhunës vazhdimisht kanë shpërfaqur të metat në zbatimin e këtyre normativave ligjore./21Media