Për një vit u regjistruan mbi 10 mijë biznese, u mbyllen mbi 1 mijë
Numri i bizneseve të shuara po konsiderohet të jetë shqetësues
Shkaqet për mbyllje të bizneseve janë ndryshimi i legjislacionit ose udhëzimeve administrative, mosdorëzimi i raporteve vjetore sipas të hyrave financiare dhe aktiviteti i ulët ekonomik.
Trendi i regjistrimit dhe shuarjeve të bizneseve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019 me ritëm të njëjtë, ndërsa numri i bizneseve të shuara për një vit po konsiderohet të jetë shqetësues për ekonominë e vendit.
Drejtori i drejtorisë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve(ARBK), Mehdi Pllashniku thotë për kp, se në vitin që lamë pas janë shuar 1 mijë e 774 biznese, prej tyre 11 kompani të huaja.
Pllashniku thotë se vetëm në muajin janar të këtij viti, 518 biznese janë regjistruar, ndërsa janë mbyllur 71 sosh.
“Në vitin 2019 në ARBK janë regjistruar 10 mijë 54 biznese, ndërsa janë mbyllur 1 mijë e 774 biznese… Arsyet, shkaqet për mbyllje janë pesë, por në shumicën e rasteve deklarohen në mënyrë vullnetare. Në qoftë se marrim një statistikë që nga viti 2000 përafërsisht numri i shuarjeve është rreth 10 përqind”, thotë Pllashniku.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OAK), Berat Rukiqi shprehet se në vendet tjera edhe mund të jetë shkallë më e ulët e bizneseve të shuara, mirëpo procedurat e falimentimit dhe mbylljes janë shumë më të rënda dhe kjo i dekurajon shumë bizneset që me hyrë në këto proceduara, përderisa në Kosovë nuk ka fare burokraci me i mbyllë bizneset.
Rukiqi thotë se bizneset për shkak të obligimeve, edhe për shkak të procedurave të caktuara marrin vendim për mbylljen e bizneseve.
Edhe eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj thotë se si rezultat i performancës së dobët ekonomike të bizneseve në vend, është rritur në vazhdimësi numri i kompanive të shuara.
Përveç kësaj, Kadriaj thotë për shkak të vështirësive në qasje financiare dhe normat e lata të kredive, shumica e bizneseve janë të detyruara të dështojnë.
Sipas tij, Kosova nuk qëndron mirë për aktivitetet ekonomike dhe zhvillimin e ndërmarrjeve dhe nuk mjafton vetëm të regjistrohet një biznes ose ta merr certifikatën e biznesit, por duhet të jetësohet ose të fillon aktivitetin ekonomik.
Sipas të dhënave të ARBK-së në vitin 2018 ishin regjistruar 9 mijë e 967 biznese, ndërsa janë mbyllur 1 mijë e 890.