Për pavarësi të sistemit gjyqësor, duhet reforma

Janë identifikuar gjashtë fusha të rreziqeve për korrupsion

Projekti i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK II), bashkë me institucionet e Kosovës kanë publikuar sot një vlerësim për rrezikshmërinë e korrupsionit në fushën e gjyqësorit, prokurorisë dhe prokurimit publik.

Raporti sheh gjashtë fusha të rreziqeve për korrupsion: kornizën ligjore të sistemit gjyqësor, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, jetën profesionale të gjyqtarit, administratë dhe menaxhim të gjykatës,  sistemin e menaxhimit të lëndëve si dhe trajtimi i lëndëve të korrupsionit.

Nga kjo konferencë u kërkua investim në aspektin e vetëdijësimit të qytetarëve dhe funksionarëve për evitimin dhe luftimin e korrupsionit.

Munir Basha, zëvendësministër i Drejtësisë në Kosovë tha se janë të përkushtuar në fuqizimin e funksionit të ligjit si e vetmja rrugë. Ai theksoi se raporti aktual bën një vlerësim të fushave me rrezik për korrupsion në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe se jep rekomandime për reforma.

Basha theksoi se për fushën e korrupsionit kanë themeluar grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për rishikimin e legjislacionit që e bën të detyrueshëm pezullimin ose largimin e zyrtarëve publik të akuzuar dhe të dënuar për korrupsion. Ai u shpreh se ky koncept dokument është themeluar në bashkëpunim të ngushtë me projektin e binjakëzimit nga Gjermania dhe si i tillë pas fazës së konsultimeve publike do të procedohet në Qeveri për miratim. Basha gjithashtu tha se lidhur me gjetjet e këtij raporti do të mirren masa konkrete sipas Kodit penal dhe procedurës penale.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi  tha se krahasuar me vitet e mëparshme, në fushën e drejtësisë me anë të publikimit të këtij raporti që u prezantua sot, do të jetë më e lehtë të luftohen dukuritë negative.

Ndërsa, Isabel Servos Gallucci, shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabel Servos Gallucci u shpreh të jetë e kënaqur pasi që sipas saj raporti që është hartuar nuk është vetëm një raport në tavolinë por që siç tha ajo gjetjet janë relevante dhe shërbejnë edhe për Agjensionin Kundër korrupsionit.

Ndërkaq, zëvendësshefi për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë, Libor Chlad shpreson se adresimi i të metave që janë identifikuar do të ndikojnë në përmirësimin e sistemit gjyqësor në Kosovë.

Ndryshe, vlerësimi aktual i rreziqeve të korrupsionit nuk synon të ekspozojë korrupsionin, port ë identifikojë “Fushat me rrezik për korrupsion”. Ndërkaq rekomandimet dhe reformat e dhëna në këtë raport, synojnë të përmirësojnë transparencën dhe llogaridhënien për një menaxhim sa më adekuat të drejtësisë në Kosovë.

Back to top button