Për punëtorët e “Trafikut Urban”, drejtor i vetëm legjitim është Halil Mustafa

Punëtorëve u ka dalë në krah edhe nënkryetari i komunës Dardan Sejdiu, i cili ka përkrahur qëndrimet e tyre

Drejtori i ri, i cili pretendohet se është sjellë nga Bordi i “Trafikut Urban”, nuk është i pranueshëm për nënkryetarin e komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu dhe as nga punëtorët e vetë ndërmarrjes. Ata thonë se për ta drejtor i vetëm legjitim është Halil Mustafa.

Punëtorët e “Trafikut Urban”, të martën, për disa orë kanë ndërprerë qarkullimin e autobusëve të kësaj kompanie, pasi ata nuk po e duan drejtorin e ri që është emëruar nga bordi i ndërmarrjes.

Kryeshefi ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Halil Mustafa, tha për Kp se pakënaqësia e punëtorëve është shenjë e së drejtës së tyre dhe mbrojtjes së kapitalit të kompanisë.

“Punëtorët kanë pas një pakënaqësi dhe kanë pas një përkrahje në shenjë të drejtës së tyre, në shenjë të përkrahjes , të mbrojtjes, të kapitalit të tyre meqenëse kemi autobus të rinj, pastaj është kapitali i punëtorëve edhe në shenjë të përkrahjes time personale, sinqerisht po them se asnjëherë nuk e kanë pas më mirë d.m.th. kur kam ardhur unë në 2014 kam gjetur 130 euro rrogë, pastaj tash rroga mesatare është 313 euro është një rrogë solide që përafërsisht është mesatarja e rrogës në përgjithësi në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Edhe Blerim Ahmeti, konduktor në ndërmarrjen “Trafiku Urban” tha për Kp, se drejtor i vetëm legjitim për punëtorët është Halil Mustafa, pasi ai ka treguar performancë të mirë.

Ai në emër të punëtorëve të “Trafikut Urban”, tha se sa herë të tentohet të sillet një person në mënyrë të tillë në lokalet e ndërmarrjes, punëtorët do ta ndërprenë punën.

“Sot ka qenë një lloj pakënaqësie ndaj ish-një drejtori, i cili pretendon se e ka sjellë Bordi i “Trafikut Urban”, i cili për neve punëtorëve të “Trafikut Urban” është i padëshirueshëm, për arsye se ne punëtorët e “Trafikut Urban” e kemi një drejtor dhe ai quhet pikërisht Halil Mustafa, i cili e ka një performancë jashtëzakonisht të mirë në “Trafikun Urban”. Dhe përderisa e ka një performancë kaq të mirë ne do ta përkrahim çdo herë. Dhe do të jemi çdo herë kundër çdo drejtori, i cili tenton të hyjë në lokalet tona të “Trafikut Urban””, tha Ahmeti.

Ndryshe, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti sot ka akuzuar Lirak Çelajn nga PDK dhe Agim Gashin nga LDK-ja, se kanë vendosur të shfrytëzojnë Ditën e Dëshmorëve, për të provuar të hyjnë me dhunë në “Trafikun Urban”. Ai tha se punëtorët nuk po e lejojnë këtë.

“Sulmet tash janë të përditshme, por së bashku me qytetarët duhet të ruajmë progresin e qytetit”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, punëtorëve u ka dalë në krah edhe nënkryetari i komunës Dardan Sejdiu, i cili ka përkrahur qëndrimet e punëtorëve se drejtor i vetëm i “Trafikut Urban” është Halil Mustafa.

Bordi i drejtorëve të “Trafikut Urban” në shkurt të këtij viti kishte shkarkuar Halil Mustafën dhe kishte emëruar Hafir Hamitin si ushtrues detyre i përkohshëm në këtë post, por ky shkarkim ishte kundërshtuar nga punëtorët e ndërmarrjes dhe Komuna e Prishtinës.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button