“Perdja e moshës”, për trajtimin, intervenimin kirurgjik dhe parandalimin tregon Dr. Anita Syla-Lokaj
Specialistja e Oftalmologjisë, Dr. Anita Syla-Lokaj ka deklaruar se katarakti senil është sëmundje e shpeshtë e syrit që populli e njeh si “perdja e moshës”. Ajo është gjendje e humbjes së tejdukshmërisë së thjerrëzës natyrore të syrit, e cila në kushte fiziologjike është transparente.
Anita Syla-Lokaj për rtv21.tv ka bërë të ditur se shenja kryesore e kataraktit senil apo “perdes së moshës” është turbullimi i thjerrëzës, që konsiston në zhdukjen e refleksit të kuq nga regjioni pupillar gjatë ndriçimit, duke i dhënë ngjyrë hiri këtij regjioni.

Trajtimi
Specialistja e Oftalmologjisë, gjatë intervistës për rtv21.tv ka theksuar se “perdja e moshës” nuk mund të shërohet me medikamente e as me syze. Pra intervenimi kirurgjik është e vetmja mundësi e trajtimit për të arritur sukses të plotë.
“Në rreth 90% të rasteve, shikimi përmirësohet qysh në ditët e para pas operacionit. Perdja operohet vetëm njëherë, por në rastet kur paraqitet pëlhura e dytë ose katarakata sekondare procedura e largimit është e thjeshtë pa nevojë për ndërhyrje kirugjike në sallë të operimit, por vetëm për një aparat të quajtur YAG laseri.”, ka bërë të ditur ajo, duke shtuar se ekzistojnë edhe përjashtime ku nuk arrihet përmirësimi i shikimit edhe pas kirurgjisë së kataraktit.
Syri i njeriut për të pasur një pamje të qartë, sipas doktoreshës, përveç thjerrëzës, i nevojitet që edhe pjesët tjera të jenë të shëndosha, duke përfshirë kornenë, ujin e syrit, retinën, nervin optik, rrugët optike deri në sistemin nervor.
Dr. Anita Syla-Lokaj për rtv21.tv ka treguar se për shkak të rrezikut të mundshëm prej infeksionit, nuk preferohet të bëhet intervenimi kirugjik i kataraktës në të dy sytë gjatë të njëjtës ditë. Siç ka theksuar ajo, preferohet të paktën të pritet disa ditë pë të ju nënshtruar intervenimit kirurgjik të kataraktës në syrin tjetër.
Intervenimi kirurgjik
Dr. Syla-Lokaj ka informuar se metoda të ndryshme kirurgjike kanë evoluar prej formave klasike deri te format e avancuara siç është metoda e fakoemulsifikimit.
“Intervenimi kirurgjik kryhet nën anestezion lokal-regjional dhe topikal (me pika). Në disa raste pacientët i nënshtrohen edhe anestezionit të përgjithshëm.”, ka bërë të ditur ajo.

Komplikimet
Specialistja e Oftalmologjisë ka potencuar se ekzistojnë edhe komplikime tjera nga operacioni i kataraktit. Siç ka deklaruar ajo, në çdo ndërhyrje tjetër kirurgjike ekziston mundësia e komplikimeve intraoperative apo edhe në periudhën e hershme ose të vonshme postoperative, megjithatë nuk janë të shpeshta.
Shumica prej intervenimeve kirurgjike, sipas saj, kalojnë pa komplikime, për arsye se intervenimi kryhet me një metodë të avancuar dhe me një sistem të mbyllur (pa hapje të gjerë dhe pa qepje te syrit).
“Komplikimet e mundshme janë: Turbullirat e kornesë, rritja e tensionit intraokular, ndjeshmëria e rritur ndaj dritës, edema e regjionit të makullës, hemorragjitë (gjakderdhjet), infeksionet (endoftalmiti), ablacioni i retinës (shkolitja e pjesës së pasme të syrit).”, ka treguar Syla-Lokaj për rtv21.tv
Parandalimi
Specialistja e Oftalmologjisë ka bërë të ditur se katarakta e moshës praktikisht nuk mund të parandalohet, por ndërrimi i stilit të jetës mund të ndikojë në zvogëlimin e mundësisë së paraqitjes së saj.
“Ushqimet e pasura me Vitamin C dhe E si antioksidant, ndërpreja e përdorimit të duhanit dhe alkoolit, përdorimi i syzeve adekuate të diellit që bllokon rrezet UVA dhe UVB, mbajtja dhe kontrollimi i nivelit të sheqerit në gjak, kontrollat e rregullta te mjeku i syve”, ka potencuar ajo.
Specialistja e Oftalmologjisë, Dr. Anita Syla-Lokaj ka treguar disa gjëra që duhet të dini rreth katarakti senil apo “perdes së moshës”.
“Katarakti nuk është sëmundje infektive që mund të kalojë në syrin tjetër, nuk zhvillohet nga lodhja e syve apo puna e tepërt, shikimi i humbur nga katarakti nuk mund të korrigjohet me marrjen e një palë syzash të reja. Megjithatë, syzet mund të ndihmojnë në fazën fillestare për shkak se thjerrëza e ndryshon dioptrinë, por kjo është një gjendje e përkohshme.”, ka shtuar ajo./21Media