Çka është “perdja e moshës”, cilat janë shkaqet dhe simptomat, tregon specialistja e Oftalmologjisë

“Katarakti senil është sëmundje e shpeshtë e syrit që populli e njeh si “perdja e moshës”. Është gjendje e humbjes së tejdukshmërisë së thjerrëzës natyrore të syrit, e cila në kushte fiziologjike është transparente.”, kështu ka bërë të ditur për rtv21.tv specialistja e Oftalmologjisë, Dr. Anita Syla-Lokaj.
Ajo ka informuar se turbullimi i thjerrëzës ndikon në mënyrë të vazhdueshme në uljen e shikimit dhe pacientët shohin si nëpërmjet një perdeje të hollë, e cila vazhdimisht trashet dhe e vështirëson shikimin. 

Specialistja e Oftalmologjisë ka deklaruar se etiologjia e perdes së syrit është multifaktoriale dhe shkaku më i shpeshtë i sëmundjes së kataraktit është mosha, duke ndikuar në çrregullimin e metabolizmit të saj.
Sipas Dr. Anita Syla-Lokajt, moshat më të atakuara të kataraktit apo “perdes së moshës” janë personat mbi moshën 55-60 vjeçare.
8 fakte të cilat ndoshta nuk i keni ditur për kataraktin - Sistina Oftalmologija
“Shkaqet tjera janë: Komplikimet nga sëmundjet sistemike (diabeti, hipertensioni, insuficienca e zemrës, pneumonitë, alergjitë, barnat e ndryshme), infeksionet e brendshme të syrit, anomalitë e refraksionit (myopia), traumat etj.”, ka potencuar ajo për rtv21.tv
Specialistja e Oftalmologjisë, Dr. Anita Syla-Lokaj ka treguar se simptomat e kataraktit janë: Ulja e mprehtësisë së të pamurit, zvogëlimi i ndjeshmërisë së kontrastit, çrregullimi i dallimit të ngjyrave, miopizimi i syrit (disa njerëz me katarakte fillojnë të shohin më mirë në afërsi edhe pa përdorimin e syzeve), diplopia monookulare –shikimi i dy figurave (turbullimet e thjerrëzës mund ta ndajnë tufën e rrezeve të dritës, e për pasojë në retinë shfaqen dy shëmbëllime). 

Syla-Lokaj ka shtuar se perdja e syrit nuk mund shërohet me medikamente e as me syza, pra intervenimi kirurgjik është e vetmja mundësi e trajtimit për arritur sukses plotë./21Media

Back to top button