Përfitimet shëndetësore të marrjes së vitaminës C
Vitamina C, e quajtur edhe acidi askorbik, luan shumë role të rëndësishme në trup. Në veçanti, është çelësi për sistemin imunitar, duke ndihmuar në parandalimin e infeksioneve dhe luftimin e sëmundjeve.
Nutricistja Ajshe Ibrahimi, tha për rtv21.tv se trupi i njeriut nuk e ruan vitaminën C, kështu që njerëzit duhet ta marrin këtë lëndë ushqyese nga dieta e tyre çdo ditë.
Ibrahimi tregoi përfitimet shëndetësore të marrjes së vitaminës C.
– Rritja e shëndetit të zemrës – Disa prova sugjerojnë se vitamina C mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës ose komplikimeve të saj.Një studim tregon se njerëzit që konsumojnë më shumë vitaminë C kanë një rrezik më të ulët të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.Studiues të tjerë nuk janë të bindur se vetëm vitamina C përmirëson shëndetin e zemrës. Megjithatë, është e qartë se ngrënia e më shumë frutave dhe perimeve mund të ndihmojë në rritjen e shëndetit të zemrës duke siguruar një sërë vitaminash, mineralesh, antioksidantësh dhe fibrash.
– Forcimi i sistemit imunitar – Vitamina C ka një efekt forcues imunitar që mund të ndihmojë trupin të luftojë sëmundjet, siç është ftohja e zakonshme.
– Ulja e rrezikut të disa llojeve të kancerit- Vitamina C është një antioksidant, kështu që mund të parandalojë dëmtimet e shkaktuara nga radikalet e lira. Kjo mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të tilla si kanceri.
Disa njerëz, sipas Ibrahimit, mund të kenë nevojë për sasi më të larta të vitaminës C se të tjerët. Njerëzit që pinë duhan ose janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë, për shembull, mund të kenë nevojë për më shumë vitaminë C për të reduktuar dëmtimin e radikalëve të lirë që lëshon tymi.
Grupet e tjera që mund të përfitojnë nga një konsum më i lartë i vitaminës C përfshijnë personat që nuk hanë mjaftueshëm fruta dhe perime ose që kanë një dietë shumë të kufizuar, njerëzit që nuk janë në gjendje të absorbojnë plotësisht vitaminat dhe lëndët ushqyese, njerëzit me kushte të caktuara shëndetësore, të tilla si sëmundje të veshkave ose kancer.
“Nëse dikush nuk mund të marrë mjaftueshëm vitaminë C në dietën e tij, ai mund të konsultohet me mjekun për të marrë suplemente. Vitamina C është e nevojshme për një shëndet të mirë. Për shkak se është e bollshme në shumë ushqime bimore, ngrënia e një diete të shëndetshme që përfshin një shumëllojshmëri frutash dhe perimesh zakonisht i siguron një personi të gjithë vitaminën C që i nevojitet”, tha Ibrahimi për rtv21.tv.
Ajo këshilloi se njerëzit që dëshirojnë të rrisin marrjen e vitaminës C mund ta bëjnë këtë duke ngrënë burime të pasura të vitaminës çdo ditë. Vitaminën C, sipas Ibrahimit, mund ta sigurojmë te frutat dhe perimet si: domatet dhe lëngu i domates, patatet, specat e kuq dhe jeshil, kivi, brokoli, luleshtrydhet, lakrat e Brukselit, pjepri, majdanozi, spinaqi, papaja, rrushi i zi, qershia, limoni, trumëza, mandarina, portokalli, ananasi etj/21Media
