Përfundimisht Kosova nuk anëtarësohet në KiE!

Kosova përfundimisht e ka humbur shansit që të bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Kjo pasi sot gjatë mbledhjes së Komitetit të Ministrave të këtij institucioni nuk ka arritur të futët në agjendën e mbledhjes. Përfaqësuesit e institucioneve e quajnë këtë padrejtësi.

Kryesuesja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, pasi Kosova nuk arriti të futet në agjendë tha se ky komitet po shqyrton mundësinë se si ta procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Sipas saj, edhe pse nuk ishte në rend të ditës për çështjen e Kosovës u diskutua.

“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave tashmë ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo.

Ministri francez për Çështje Evropiane, Jean-Noel Barrot, shtet ky që ka vendosur kusht Asociacionin e komunave me shumicë serbe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, tha se ekziston rreziku që brenda Këshillit të Evropës të ketë përçarje për Kosovën.

“Megjithatë, Franca beson se në këtë drejtim, Kosova ka një rrugë të caktuar për ta kaluar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, i cili ishte pjesë e mbledhjes së Komitetit të Ministrave dhe i cili ka punuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, tha se mosanëtarësimi në këtë këshill është humbje historike për Kosovën.

“Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet Ministrash”, tha Hasani.

Pas dështimit që Kosova të futet në rend të ditës në mbledhjen e Komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës reaguan institucionet e vendit. Thonë se është vetëm çështje kohe anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, tha presidentja, Vjosa Osmani.

Reagoi edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Tha se mospërfshirja e Kosovës në agjendë është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që Kosova duhet të anëtarësohet pa parakushte shtesë.

“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letrës drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, tha Gërvalla.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja nuk kishte mundësi që të lobojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës për shkak se, siç tha, Qeveria nuk e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit të dorëzuar nga evropianët.

“Nga perspektiva amerikane, pasi që rruga evropiane përfshinte pjesë të rëndësishme të Asociacionit në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar një propozim evropian, përmes një procesi evropian që është dialogu dhe një marrëveshje që garantohet nga Bashkimi Evropian, do t’u jepte amerikanëve një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane për të thënë se Kosova ka bërë çfarëdo që Evropa ka kërkuar dhe për të kërkuar njohje të reja. Pa këtë, të themi që ne nuk kishim shumë material për të punuar për këtë”, tha Escobar.

“Ne duhej të insistonim më shumë në implementimin e plotë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, se në ndërmjetësimin që të dyja palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste e kemi vërejtur mungesën e vullnetit të mirë nga të dyja palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është kyç për Kosovën. Është më i vështiri dhe si më i vështiri ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal të vullnetit të saj për të adresuar çështjen e minoritetit serb në territorin e saj”.

Qeveria e Kosovës ka refuzuar ta dërgojë draft-statutin e Asociiconit të dorëzuar nga evropianët. Sipas Qeverisë, ky draft nuk i plotëson kushtet ligjore që të dorëzohet në Kushtetuese./RTV21/21Media

Show More
Back to top button