Përfundon aksioni në veri, Policia jep detaje

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me aksionin e sotëm kundër kontrabandës. Operacion ky i realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Bëhet e ditur se gjatë këtij aksioni janë lënduar 6. zyrtarë policorë, ndërsa janë arrestuar /shoqëruar në Polici 8 persona nga aksionet e policisë në të gjitha rajonet.
“Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”, njofton Polica e Kosovës.
Sipas Policisë në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, mirëpo në veri të Mitroivcës grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.
“Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë”, njofton Policia.
Sipas Policisë të arrestuarit janë:
R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës,
A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës,
M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri,
I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri,
M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri.
Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.
Operacioni policor ka përfunduar, situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar, përderisa veprimet e mëtejme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë./21Media 

Back to top button