Përfundon dita e dytë e gjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së

(Lajm i përditësuar)

Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë përfunduar deklaratat e tyre mbyllëse, teksa më 5 prill pritet që të deklarohet edhe ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit.

Gjatë ditës së dytë të gjykimit, trupit gjykues iu drejtuan dy të akuzuarit: Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi.

Mbrojtja e Selimit: ZPS-ja po përpiqet të bëjë përgjegjës Selimin dhe të bashkakuzuarit e tjerë për gjithçka që ka ndodhur në Kosovë

Avokati  i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts,  ka thënë se ZPS disa herë ka thënë se kjo çështje nuk ka të bëjë me një procedim penal kundër UÇK-së.

“Dëgjuam dje ZPS-në disa herë të thoshte se kjo çështje nuk përbën procedim penale kundër UÇK-së dhe se nuk trajtohet kundër UÇK-së dhe se UÇK-ja nuk është në këtë gjykim, megjithatë te rëndësishme janë veprimet e ZPS-së, në veçanti zgjedhja e kësaj të fundit për të ngritur një aktakuzë kundër Selimit dhe të bashkakuzuarve të tjerë”, tha avokati.

Sipas tij, ZPS-ja po përpiqet të bëjë përgjegjës Selimin dhe të bashkakuzuarit e tjerë për gjithçka që ka ndodhur në Kosovë, madje edhe në pjesë të Shqipërisë, për gjatë gjithë periudhës së aluduar nga aktakuza.

“Ju patët mundësi të dëgjoni nga Z.Selimi për ndikimin e fushatave të diskriminimit dhe persekutimit të linçuar nën urdhrat e presidentit Millosheviq kundër atij dhe kolegeve te tij dhe kundër një numri të konsiderueshëm shqiptar përgjatë gjithë viteve që paraprin periudhës në aktakuzë”, shtoi avokati.

Ai, duke ju referuar fjalimit të Selimit, tha se është “e kuptueshme pse Selimi dhe të tjerët e ndiejnë njëfarë detyrimi për të mbrojtur trashëgiminë e UÇK-së, kur kjo e fundit ishte qartazi në sulmin e kësaj prokurorie”.

Avokati i Selimit tha se prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës që vendosin të nisnin luftë për liri.

Ai po ashtu tha se gjatë deklaratë hyrëse të ZPS-së, ky institucion iu referua masakrave në Kosovë, sikurse ajo në Prekaz të Skenderajt “si ngjarje” dhe sipas tij, ky mohim i krimit të serbëve ndaj shqiptarëve “nuk është asgjë tjetër veçse manipulim i ZPS-së”.

Emmerson: S’ka asnjë provë që Veseli ka kryer ose nxitur ndonjë krim

Ben Emerson, avokat i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se nuk ka dëshmitarë që mund të dëshmojë se klienti i tij mund të jetë përfshirë në çfarëdo krimi në periudhën e luftës.

“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë qenë i pranishëm në çfarëdo krimi, të ketë autorizuar apo nxitur një krim ose politike kriminale, apo të ketë marrë ndonjë raportim të ndonjë krimi të kryer. Nuk ka asnjë provë në këto pika. Nuk ka asnjë provë që ai të mos ketë marrë hapa për të parandaluar ndonjë krim. Nuk ka një dokument të vetëm në të gjitha provat që të ketë nënshkrimin e tij”, tha Emerson.

Avokati Emerson ka theksuar se një dokument i cili përmban vulën e Veselit, është një i datës 21 tetor 1998 që u arrit me qeverinë në ekzil.

Emmerson tutje tha se klienti i tij dhe as UÇK-ja nuk i kanë shënjestruar mbështetësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Një prej të metave në thelbin e provave që ka prokuroria është nocioni që e mendon një numër relativisht i vogël i individëve, që udhëheqja e UÇK-së, kanë komplotuar së bashku për të vënë në shënjestër mbështetësit e LDK-së për t’i përndjekur, por siç do ta dëgjoni, ky është një mendim krejt i ndryshëm nga ajo që ka ndodhur në terren”, tha ai.

Sipas Emmerson, “shumica e anëtarëve të UÇK-së ishin mbështetës të LDK-së”.

“Nuk ishin dy grupe më vete, ishin të ndërthurura. Konflikte ka pasur, dallime në mendime ka pasur, si në çdo rast kur bashkohen dy forca politike”, tha Emmerson.

Emmerson: Dokumentet e UÇK-së të prezantuara nga ZPS, s’kishin të bënin me realitetin

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në ditën e parë të gjykimit mbështeti provat e saj në dokumentet rregullatore të UÇK-së, duke u mbështetur në dëshmitë e dëshmitarit Bislim Zyrapi.

Zyrapi gjatë luftës ka qenë shef i Shtabit të UÇK-së.

“Zyrapi ka dëshmuar disa herë për këto dokumente në Hagë. Ai ka dëshmuar se këto rregulla ishin thjesht në nivel aspirate, nuk u vunë asnjëherë në jetë, ishin projekt-dokumente që nuk kishin të bënin asgjë me realitetin”, tha Emmerson.

Ai tha se këto dokumente, që u hartuan në fund të vitit 1998, kishin për synim që ta bënin më profesionale UÇK-në.

“….për ta konvertuar nga një forcë guerile, në një ushtri që do të ishte e aftë për të mbrojtur popullatën civile nga një fushatë e spastrimit etnik”, tha ai.

Mbrojtja e Veselit: Disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK

Avokati i Veselit, Ben Emmerson, tha se disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK për qëllime politike, e disa të tjerë janë distancuar për shkak të frikës se mund të përballen me një gjykim.

“Disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës, por të tjerë janë përpjekur të distancohen nga ngjarjet, sepse e kanë ditur se disa prej veprimeve të tyre kanë qenë të dyshimta, dhe mund të dilnin një ditë para një gjykate penale”, tha ai.

Sipas Emmerson gjatë këtij gjykimi do të paraqitet një panoramë e ndërlikuar e një periudhe kaotike, për shkak të distancës kohore prej kur ka ndodhur lufta e deri te nisja e gjykimit.

“Ngjarjet të cilat ju do t’i shihni kanë ndodhur thuajse para 25 vjetësh dhe me keqbesim apo jo kujtimet edhe mund të dobësohen apo shtrembërohen”, tha ai.

Emmerson tha se situata ndërlikohet edhe më shumë për shkak të propagandës së luftës, që tha se është përdorur nga të gjitha palët, përfshirë UÇK-në.

Back to top button