Përfundon dita e parë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

(Lajm i përditësuar)

Përfundon dita e parë e gjykimit

Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria: Të ndaluarit u mbajtën në kushte të rënda

Prokurori i specializuar, James Pace, tha se të ndaluarit në mënyrë të paligjshme, ishin mbajtur në “kushte të rënda”.

“Kushtet e ndalimit në disa vende të ndalimit ishin aq të rënda saqë disa persona të caktuar të mbajtur aty mendonin që më mirë të kishin vdekur sesa të mbaheshin ashtu”, tha prokurori Pace.

Ai po ashtu tha se të ndaluarit në shumë qendra të pretenduara ndalimi në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, u ishin nënshtruar rrahjeve me shufra hekuri, shkop bejsbolli e gjësendeve të tjera.

Në Llapushnik, sipas Pace, disa të ndaluarve ua shkulën thonjtë me darë.

“Në Llapushnik dyshemeja ishte prej betoni me fekale kafshësh të shpërndara përreth”, tregoi prokurori duke thënë se disa të ndaluar ishin të mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe flinin në vendin e njëjtë ku kryenin nevojat fiziologjike.

Sipas tij, në një prej qendrave të ndalimit “disa të ndaluar u detyruan të hapnin varrin e vet”, e në vende të tjera panë të tjerët teksa rriheshin e merreshin në pyetje.

Rinis seanca gjyqësore

Prokurori i Specializuar, James Pace, ka vazhduar deklaratën hyrës të prokurorisë në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Ai foli për rastin e ndalimit të tre personave në një qendër ndalimi në Prizren, dhe ka inkriminuar drejtpërdrejt në zhdukjen e dy “kundërshtarëve” të UÇK-së nga një qendër e pretenduar e ndalimit në Drenoc.

“Padyshim do të vëmë re një praktikë që do të dalë në provat që do të paraqiten këtu, do të shikoni sesi të ndaluarit në këto qendra të ndalimit gjatë gjithë kohës janë marrë në pyetje. Marrja në pyetje paraqet qëllimin se pse ishin shënjestruar, pasi ata pretendoheshin se bashkëpunonin me forcat serbe apo se ishin të lidhur me të”, tha ai.

Në Likoc, sipas tij, të ndaluarit u akuzuan se ishin “tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë”, ngjashëm sikurse në Llapushnik dhe Jabllanicë, pretendoi Pace.

Sipas tij, Thaçi dhe Sabit Geci i cilësuan personat e ndaluar në Jabllanicë si “rugovistë” dhe kërkuar që ata të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova. Prokurori i specializuar tha se të ndaluarit u vlerësuan se ishin “kolaboracionistë”.

Tieger: UÇK paralajmëronte “kolaboracionistët” se do t’i vriste

Prokurori i specializuar, Alan Tieger, tha se përmes komunikatave të lëshuara, UÇK-ja synonte të paralajmëronte “kolaboracionistët” se do të vriteshin.

Ai këtë e mbështeti edhe te një intervistë që Krasniqi kishte dhënë për Spiegel, ku kishte deklaruar se “kolaboracionistët janë paralajmëruar se do të vriten” nëse nuk ndryshojnë qëndrim.

Sipas tij, Shtabi i Përgjithshëm kishte dhënë urdhër që të merreshin masa ndaj kujto që punonte kundër UÇK-së.

Në këtë kuadër, ai përmendi disa qendra të pretenduara të ndalimit në Likoc e Drenoc. Sipas Tieger, emrat e disa personave që ishin ndaluar më 1998 në Drenoc dhe Likoc ishin shkruar “në bllok shënimet”.

Ai tha se provat e Prokurorisë do të dëshmojnë se vendimet e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” po zbatoheshin.

ZPS: Shtabi i UÇK-së i shënjestroi pamëshirshëm kundërshtarët

Zyra e Prokurorisë së Gjykatës Speciale ka vazhduar me paraqitjen e provave që i përfshin të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në krime lufte.

Prokuroria tha se të akuzuarit, përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shënjestruan pamëshirshëm dhe ashpër kritikët e UÇK-së dhe “bashkëpunëtorët kolaboracionist”.

Sipas ZPS-së, kritikët u vranë, u keqtrajtuan mizorisht dhe u ndoqën.

“Kundërshtarë ishin ata persona që ishin të lidhur me institucionet serbe ose ata që s’i mbështesnin politikat e UÇK-së. Këta quheshin tradhtarë, kolaboracionistë. Provat tregojnë se këto terme ngatërroheshin… Në shumë raste keqtrajtoheshin në forma të tmerrshme. Të akuzuarit e keqpërdorën postin për të urdhëruar, nxitur dhe ndihmuar zbatimin e këtij plani gjatë gjithë periudhës së aktakuzës. Cilat janë provat për këtë, ato i gjeni të qarta në mënyrë të përsëritur në komunikata zyrtare, të bëra me dije”, ka thënë kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, provat gjenden në komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, nga intervistat e të akuzuarve dhe nga njoftimet zyrtare.

Specialja publikon një pjesë të intervistës së Selimit, tregon detyrat që kishin të katër të pandehurit

Prokurori Matthew Halling vazhdoi me deklaratën hyrëse, duke thënë se gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë.

Më pas ai lëshoi një pjesë të intervistë në Hagë, ku Selimi flet se kush i shkruante komunikatat e UÇK-së dhe kush ishte përgjegjës për mesazhin që duhej nxjerrë në publik.

Sipas Halling, Thaçi në fundin e vitit 1998 kishte marrë drejtimin e drejtorisë politike të UÇK-së, Veseli kishte qenë përgjegjës drejtorinë e zbulimit, Selimi ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi ishte zëdhënës, pra “i ngarkuar për t’iu dhënë zë” politikave të këtij organizimi.

Prokuroria thotë se nuk po akuzohet UÇK-ja

Prokurori i Specializuar tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ta, e jo me gjithë UÇK-në.

“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting.

Ai tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” që të tregojnë për ato që kanë përjetuar.

Whiting, deklaroi para trupit gjykues se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës.

“Të akuzuarit u përfshin në zbatimin e kësaj politike, përfshirë duke caktuar komandantët dhe strukturat. Provat do të tregojnë se politika u vu në jetë, që prej fillimit e deri në fund të luftës, nga veriu dhe në jug dhe pati praktikë shenjëstrimin e kundërshtarëve. Qëllimi kriminal për t’i vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte i fshehtë. Mesazhi përsëritej se kush pretendoi se kush ishte tradhtar, përbënte kërcënim”, tha ai.

Prokuroria: Shumica e viktimave ishin shqiptarë

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, ka nisur deklarimin e tij. Ai tha se katër të akuzuarit kanë qenë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjitshëm.

Sipas tij, gjatë kohës që e mbulon aktakuza, ata kanë “mbështetur dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë”, por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësojë si ata”, theksoi Whiting.

“Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit, synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve”, shtoi ai.

 

Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm

Edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u deklaruan para trupit gjykues se janë plotësisht të pafajshëm.

Ata e konfirmuan deklarimin e seancës së parë, ku ishin deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa, ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se është i pafajshëm dhe s’ka asnjë lidhje me akuzat që u lexuan.

Thaçi: Jam plotësisht i pafajshëm

Ish-kreu i Ushtrisë i Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues se është plotësisht i pafajshëm.

Ai tha se e konfirmon deklarimin e tij të parë se është i pafajshëm, derisa Gjykata po i pyet të akuzuarit e tjerë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për t’u deklaruar për fajësi ose pafajësinë.

Prokuroria: Të pandehurit kanë personalisht përgjegjësi penale për krimet

Prokuroria e Specializuar ka nisur deklaratën hyrëse. Prokurori po lexon pikën 176 dhe 177 të aktakuzës së plotësuar që flet për përgjegjësinë e tyre të dyshuar penale për pikat e aktakuzës.

Paraprakisht, mbrojtja dhe Prokuroria janë pajtuar që në këtë seancë të mos lexohet e gjithë aktakuza, por vetëm disa pjesë të saj.

Prokuroria pretendon katër ish-krerët e UÇK-së dhe ish-pjesëtarë të tjerë, kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Prokuroria tha se të pandehurit kanë “personalisht përgjegjësi penale” për dhjetë pikat e aktakuzë.

Nis gjykimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së

Ka filluar gjykimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës.

Në këtë link mund ta ndiqni live gjykimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së fillon të vijë në Gjykatën Speciale

Mbrojtja e të akuzuarve ka filluar të vijë në Gjykatën Speciale.

Deri tani është parë të kenë arritur avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe si dhe ai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson.

Po ashtu, aty ka arritur edhe kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova.

Sot fillon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky proces gjyqësor do të fillojë  me deklaratat hyrëse ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë.

Në konferencë është bërë e ditur se deklarata hapëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri në pesë orë.

Ekipi i RTV21 po qëndron në Hagë nga ku do ju mbajmë informuar për çdo zhvillim.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Dje në Sheshin Zahir Pajaziti është mbajtur ”Marshi për Drejtësi”. Marshi ka filluar nga ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe ka vazhduar në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Ky marsh solidarizues ishte në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë./21Media

Back to top button