Abdixhiku hap rrugën për negociata me LVV-në

(Lajm i përditësuar)
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se partia do t’i rikthehet diskutimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve, pasi është përmbyllur procesi i brendshëm zgjedhor.
Pas rikonfirmimit në krye të LDK-së, Abdixhiku deklaroi në konferencë për media se nuk ka më pezullim të bisedimeve dhe se partia është e gatshme të vazhdojë dialogun lidhur me krijimin e institucioneve.
“Prej këtij momenti, unë heq atë çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë për çështjen e institucioneve”, ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku për Ramën: Nëse është përfshirë, ai ka gabuar rëndë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar procesin e iniciuar për shkarkimin e tij, duke thënë se i kupton të gjithë ata që kanë marrë pjesë në të me bindje të sinqerta.
Megjithatë, ai u shpreh se nëse nga përgjimet rezulton se janë përdorur mekanizma shtetërorë për të ndikuar në zhvillimet brenda LDK-së, atëherë, sipas tij, do të ketë përgjegjësi. Në këtë kontekst, Abdixhiku përmendi edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
“Kanë gabuar rëndë gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim, ai ka gabuar rëndë. E anëtarësia e LDK-së nuk e fal këtë gjë”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku mbetet kryetar i LDK-së
Lumir Abdixhiku ka marrë shumicën e votave për të qëndruar si kryetar i LDK-së.
Anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi, tha për mediat se është rrëzuar mocioni për shkarkimin e Abdixhikut.
Ai tha se nuk e di saktë numrin e votave.
“Besoj se rezultati ju ka dhënë të gjithëve mësim se nuk nisen procese që e dëmtojnë partinë”, tha ai.
Kuvendi i LDK-së, përfundon votimi, nis numërimi
Në Kuvendin e LDK-së ka përfunduar procesi i votimit, kurse tani po vazhdon procesi i numërimit.
LDK-ja vendos për Abdixhikun!
Në Kuvendin e LDK-së ka nisur votimi për shkarkimin e kryetarit të këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku.
Për këtë do të vendosin rreth 330 nga 355 sa ka gjithsej delegatë, përcjell RTV21.
Kujtojmë se në Kuvendin e 31 janarit 2026 pjesëmarrja e delegatëve ishte 303, ndërsa në këtë Kuvend po marrin pjesë 24 delegatë më shumë.
Abdixhiku para delegatëve: Fatin tim e keni në duart tuaja
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u është drejtuar delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, duke kërkuar që vendimi i tyre të udhëhiqet nga interesi i LDK-së dhe i Kosovës, e jo nga fati i tij personal.
Ai theksoi se është i gatshëm ta pranojë çdo vendim që do të dalë nga vullneti i shumicës së delegatëve.
“Unë sot e vendos fatin tim në duart tuaja, e ju, ju lutem vendosni fatin e LDK-së dhe të Kosovës mbi fatin tim. Kjo ka rëndësi”, ka thënë Abdixhiku.
“Nëse këtë e bëni, çfarëdo vendimi që merrni, unë do ta pranoj me krenari, me përulësi dhe me besim që kjo shtëpi ka zgjedhur rrugën e drejtë”.
“Fërkojnë duart për një rezultat të keq” – Abdixhiku për kritikët brenda LDK-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e partisë, ka folur për përgjegjësinë pas zgjedhjeve dhe për angazhimin e strukturave partiake, duke theksuar se vlerësimin më të madh e meritojnë aktivistët që kanë qenë vazhdimisht në terren.
Sipas tij, LDK-ja ua ka borxh atyre që kanë punuar për partinë, ndërsa kritikoi ata që, sipas tij, kanë qëndruar larg proceseve të rëndësishme të partisë.
“Përgjegjësinë i jap vetëm atij delegati e aktivisti, që ishte në terren secilën ditë, atij që trokiti në dyer e bindi qytetarët. Mbrojti LDK-në në çdo studio televizive, nuk u dorëzua edhe atëherë kur rezultati i rrënoi gjithë mundin përnjëherë, atyre u kemi borxh LDK-në. Lakmitarëve të karrigave vetëm përballjen vlerore deri në fund”, tha Abdixhiku.
Tutje, ai deklaroi:
“Do thoja një energji pozitive jo kundër njëri-tjetrit ta kisha parë edhe në fushatë. Por që në fushatë refuzohet edhe pjesëmarrja në Këshillin e Përgjithshëm të partisë, të njëjtin që e kemi ndërtuar vetë, respektuar e votuar vetë.
Kur në fushatë refuzohet pjesëmarrja edhe në kolegjiumin e degëve, kur refuzohet pjesëmarrja në betejën e partisë e pas saj kërkohet përgjegjësi, unë refuzoj këtë logjikë, ndjej vetëm keqardhje.
Nuk mund të jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e vetë partisë, që refuzon betejën më të rëndësishme në zgjedhjet nacionale teksa fërkon duart për një rezultat të keq, për të nisur sërish refrenin e vetë”.
Abdixhiku: E kam ditur që karriga s’më përkiste përjetësisht
“E kam ditur që karriga s’më përkiste përjetësisht. Kam përjetuar çdo sukses e çdo humbje”, ka thënë Abdixhiku,
Abdixhiku ka thënë se asnjëherë s’ka marrë asnjë veprim e asnjë vendim duke menduar për veten para LDK’së.
“S’kam qenë as i përkryer as i pagabueshëm. Kam marrë vendime që mund të merreshin ndryshe. Asnjë vendim, asnjë veprim dhe asnjë sjelle s’e kam marrë duke menduar për veten, para LDK’së”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kuvendi nuk është dashur të organizohej në këtë formë, pasi është thirrur në mënyrë të njëanshme. Abdixhiku tha gjithashtu se ai po mbahet në një periudhë sfiduese për Republikën e Kosovës.
“E konsideroj të gabuar këtë vend sepse vjen në mënyrë të njëanshme. Vjen pak muaj pasi mbajtëm Kuvendin dhe pak muaj pasi kemi Kuvendin e rregullt të LDK-së”, tha ai.
Lumir Abdixhiku arrin në Kuvendin vendimtar të LDK-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para hyrjes në Kuvendin e LDK-së është deklaruar shkurt për media, duke thënë se detajet do të jepen pasi të kryhen punimet.
“Tash i nisim punimet, do ta mbaj fjalën hyrëse brenda, pasi të përfundojë Kuvendi do të mbajmë konferencë për media. Për fjalën time”, tha ai para mediave./21Media
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, para nisjes së punimeve të Kuvendit tha se interesimi i madh për këtë proces konfirmon peshën dhe rolin që, sipas tij, LDK-ja ka në jetën politike të vendit.
Ai deklaroi se pavarësisht rezultatit të fundit zgjedhor, partia ka hyrë në një proces të debatit të brendshëm në kuadër të demokracisë së saj të brendshme.
Haziri tha do të dialogojnë për këtë proces për të gjetur rrugën më të mirë dhe të vazhdojë me ndërtimin e institucioneve.
“Kjo është arsyeja e këtij interesimi, që e konfirmon peshën dhe rolin e LDK-së në jetën politike, pa të cilën nuk zhvillohen procese dhe nuk realizohen ëndrrat e askujt. Pavarësisht rezultatit të fundit, ne kemi hyrë në kufijtë e debatit të brendshëm dhe në kuadër të asaj që quhet demokraci e brendshme. Mocioni lidhet me kryetarin e LDK-së dhe kjo është shfrytëzuar nga kolegët tanë, të cilët e kanë organizuar atë. Ne e kemi respektuar këtë proces, sot do të dialogojmë dhe do ta gjejmë rrugën më të mirë që LDK-ja ta realizojë këtë kërkesë, për të kaluar më pas te kërkesa e dytë, e cila lidhet me shtetndërtimin, ndërtimin e institucioneve, funksionimin e Republikës dhe gjithçka që lidhet me të ardhmen.”, deklaroi Haziri.
Sipas Hazirit, vendimi për mocionin i takon delegatëve të Kuvendit dhe do të merret në përputhje me Statutin e partisë.
Bajrami: S’kam koment, Kuvendi vendos
Anëtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, nuk ka pranuar të flasë sa i përket zhvillimeve që parashihen të ndodhin gjatë Kuvendit të sotëm të LDK-së.
“Unë e besoj se Kuvendi e tregon se çka do të ndodhë sot në Kuvend, nuk e kam asnjë koment. Kuvendi vendos.”, tha ajo./21Media
Zemaj pro apo kundër shkarkimit të Abdixhikut: Kam qenë nënshkrues, por vota është e fshehtë
Para nisjes së Kuvendit të sotëm të LDK-së, anëtari i këtij subjekti politik, Armend Zemaj, ka thënë se një gjë e tillë po ndodh për fuqizimin e LDK-së.
“Këto ngjarje nuk mund t’i shihni në partitë e tjera, e besa as në partitë e vendeve të rajonit”, ka deklaruar Zemaj para gazetarëve.
“Prandaj, kjo është për fuqizimin e LDK-së dhe asgjë tjetër”, ka shtuar ai.
“Për këtë arsye jemi parti demokratike dhe për këtë arsye kërkojmë suksese edhe më të mëdha, dhe për këtë arsye nuk ndalim deri ta kemi LDK-në të parën”, tha ai.
Ai u pyet nëse do të votojë pro apo kundër shkarkimit të Lumir Abdixhikut.
“Unë kam qenë nënshkrues, nënshkrimi e ka një kërkesë, por vota është e fshehtë dhe duhet me ruajt.
integritetin e votës”, tha Zemaj./21Media
“Nuk ka qenë koha e duhur”, Sibel Halimi flet hapur para Kuvendit të LDK-së
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, pak para nisjes së Kuvendit të kësaj partie tha se është me rëndësi që sot të triumfojë demokracia dhe delegatët të votojnë sipas bindjeve personale.
Ajo tha se nuk kanë pasur presion për votim pro ose kundër Lumir Abdixhikut për kryetar të LDK-së.
“Unë jam anëtare e kryesisë së LDK-së dhe ne pa dyshim që do ta bëjmë më të mirën sot që LDK-ja të triumfojë, me vlerat të cilat edhe historikisht i ka promovuar”, tha ndër tjerash ajo.
Halimi shtoi se pret që ky kuvend të kalojë pa eksese.
“Besoj fuqishëm se me 36 vjet që ka LDK, ne e kemi ndërtuar shtetin me liri.”
Tutje ajo tha se: “Nuk ka qenë koha e duhur të organizohet një Kuvend i tillë, por megjithatë, meqë me statutin e LDK-së e kemi një mundësi të tillë, ka pasur kërkesa dhe është nënshkruar një listë. Jemi këtu ku jemi dhe do të dalim faqebardhë.”/21Media
Sekretari i LDK-së zbulon çfarë pritet në Kuvend: Vetëm një pikë, vendos vota e fshehtë
Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, sekretari i partisë, Ilir Ferati, është deklaruar para mediave, duke dhënë detaje për mbarëvajtjen e procesit.
I pyetur se cili mund të jetë rezultati i Kuvendit, Ferati u shpreh se gjithçka do të bëhet e ditur pas zhvillimit të votimit, pasi mbledhja pritet të nisë në orën 18:00.
“Ka pak kohë deri kur Kuvendit të konstatojë me votë të fshehtë”, ka thënë Ferati.
Sipas tij, Kuvendi është organizuar brenda afatit më të shkurtër të mundshëm.
“Kuvendi ka një pikë të rendit të ditës”, ka shtuar tutje Ferati.
Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë mbledhjes do t’u jepet hapësirë delegatëve edhe për debat.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?