Përfundon edhe hapi i fundit për viza, vendimi del në gazetën zyrtare të BE-së

Është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovës. E njëjta pritet të hyjë në fuqi më 15 maj të këtij viti ndërsa kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Schengen nga 1 janari 2024.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill në selinë e Parlamentit Evropian.

Një ditë më herët, PE kishte miratuar vendimit për vizat, veprim ky që kishte përmbyllur proceduat vendimmarrëse.

Për miratimin e këtij vendimi nuk ka pasur asnjë kundërshtim.

Pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.

Regjimi pa viza nuk nënkupton leje pune, por kosovarët do të mund të realizojnë vizita turistike apo të tjera për çështje familjare.

Komisioni Evropian kishte konfirmuar në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për lëvizje të lirë.

Megjithatë, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që ende nuk mund të lëvizin pa viza në Schengen.

Back to top button