“Pika” prangosi 74 policë, kryeshefi i IPK-së nderohet nga DASh-i

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj është nderuar dje nga Departamenti i Shtetit në Washington për sukses të jashtëzakonshëm operacional.

Hodaj, siç ka bërë të ditur IPK është përzgjedhur fitues i çmimit kryesor për sukses të jashtëzakonshëm operacional, si i nominuar për realizimin me sukses operacionit antikorrupsion të Inspektoratit Policor të Kosovës, me ç’rast janë arrestuar 74 zyrtarë policorë në operacionin e vitit të kaluar të koduar me emrin “PIKA 1 dhe PIKA 2”.

“Përfaqësuesit e Kosovës, Malit të Zi dhe të Ganës, të diplomuar në Akademinë Ndërkombëtarë të Zbatimit të Ligjit u vlerësuan që me punën e tyre kanë bërë një ndryshim të madh në komunitetet e tyre dhe sektorët e drejtësisë penale në mbarë botën.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Në këtë ceremoni kanë qenë të nominuar zyrtarë nga 52 shtete nga e gjithë bota, ndërkaq çmimi është ndarë nga nënsekretarja e Shtetit, Uzra Zeya dhe Ndihmës Sekretari i INL-it (Byroja për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit), Todd Robinson.

Hodaj është duke vazhduar vizitën zyrtare në Washington, ku gjatë ditëve ne vijim do të pritet nga zyrtarë të lartë nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë në SHBA.

Back to top button