Përfundon epoka e Mike Ashley, Newcastle zyrtarisht nën pronësi të re

Tashmë gjithçka ka marrë fund dhe është konfirmuar se klubi Newcastle United, është nën pronësi të një konsorciumi saudit i udhëhequr nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite dhe blerja erdhi pas afër 18 muajsh të gjatë mosmarrëveshjesh të shumta.
Marrëveshja 409 milionë dollarësh i jep fund pronësisë 14 vjeçare të biznesmenit britanik, Mike Ashley dhe konsorciumit saudit do t’i japë 80% të pronësisë, me 10% të tjera për Simon dhe David Reuben dhe 10% të tjera për invesitorët britanikë.
Një pengesë e madhe për blerjen e ekipit anglez nga Fondi i Investimeve Publike Saudite ishte shqetësimi për përfshirjen e shtetit saudit në punët e ekipit.
Ashley ka qenë në krye të klubit anglez për plot 14 vite me radhë, ku gjatë kohës së tij Newcastle ka rënë nga Premier Liga në Championship dy herë. Largimi i tij ishte i shumëpritur nga tifozët.
Tani skuadra e Newcastle gjendet në duart e pronarëve me pasurinë më të madhe nga të gjithë pronarët e klubeve të tjera, ku raportohet se bilanci i tyre arrin shifrën e 320 miliardë eurove, 300 milliardë më shumë se pronari i Manchester Cityt, Sheikh Mansour bin Zayed.
“Pooo. Ne guxojmë të shpresojmë përsëri”, tha një tifoz i Newcastle United.
Një deklaratë nga konsorciumi i udhëhequr nga Arabia Saudite e përshkroi “Grupin e Investimeve” si “të përbërë nga investitorë afatgjatë, të durueshëm, të cilët kanë çdo besim në suksesin e ardhshëm të Klubit”./21Media
 

Back to top button