Përfundon faza e parë e implementimit të programit “Futbolli për shkolla”
Ka përfunduar faza e parë e implementimit të programit “Futboll për shkolla”, i cili është një projekt i menaxhuar nga FIFA. Për tre ditë rresht, arsimtarë të edukatës fizike dhe trajnerë nga 5 regjione të Kosovës kanë ndjekur mësimet teorike dhe trajnimet praktike që i parasheh ky program.
Projekti “Futbolli për shkolla”, që ka për synim bazik masovizimin e futbollit me anë të fëmijëve të shkollave fillore, tashmë ka arritur shtrirjen në 5 regjione të Kosovës. Në muajt në vazhdim do të ketë rritje edhe në komunat tjera.
I pari i FFK-së, Agim Ademi, u shpreh i lumtur me faktin që FIFA ka vendosur që këtë projekt ta sjellë në Kosovë, në vendin ku ka numër të madh të të rinjve.
“Futbolli për shkolla” është një projekt shumë i mirë dhe falënderoj FIFA-n dhe deleguesit e saj që kanë ardhur në këtë eveniment në Kosovë. Edhe për ne si FFK, edhe për FIFA-n, ky është projekt shumë i rëndësishëm, pasi që në fillim të zhvillimit të tyre orienton që të bëhen sportistë dhe njerëz të mirë të shoqërisë. Ky projekt përputhet me strategjinë dhe projektet e FFK-së, masovizimin e futbollit dhe me nxjerrjen e talenteve që në moshë të hershme. Falenderoj shumë edhe të gjitha komunat që kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim, nxënësit dhe shkollarët pjesëmarrës”, tha Ademi.
“Futbolli për shkolla” cilësohet si projekt shumë i rëndësishëm edhe për Komunën e Prishtinës, si partner në këtë projekt. Drejtori i Drejtorisë për Sport në këtë komunë, Kushtrim Mushica, u shpreh shumë mbështetës për këtë nismë duke e rikonfirmuar mbështetjen e kësaj komune.
“Projekt shumë i qëlluar. Ky projekt ka përkrahjen e Drejtorit të Sportit në Komunën e Prishtinës, sepse lidhet me politikat që ka kjo drejtori, pra masovizimin e sportit. Ky projekt, që ka për qëllim masovizimin e futbollit në shkolla, është fillimi i çdo gjëje për zhvillimin e tyre sa më të mirë, që të përgatiten edhe për jetën, edhe nëse nuk përfundojnë si futbollistë profesionalë,” u shpreh Mushica.
Puna me arsimtarët dhe me trajnerët e Kosovës ka lënë mbresa të mëdha tek përfaqësuesit e FIFA-s, të cilët ishin të impresionuar me profesionalizmin dhe angazhimin e tyre.
Melvin Mendy, koordinatori i projektit “Futbolli për shkolla” nga FIFA, duke u shprehur që projektin po e lënë në duar të sigurta, ndër të tjera tha: “Ishte një përvojë shumë e mirë. Në këto 3 ditë, ishim shumë me fat që kishim një ekip të mirë të arsimtarëve, të cilët ishin shumë kompetentë dhe të gatshëm për të mësuar. Ata ishin zgjedhur me shumë kujdes nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe nga komunat. Ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë për të mësuar këtë program dhe për mësuesit e tjerë në Kosovë. Angazhimi i tyre ka treguar shumë premisa pozitive për të ardhmen e projektit. Ne gjithmonë themi që, kur largohemi nga një vend, këtë program e lëmë në duar të mësuesve. Këtë herë ndjehemi veçanërisht të sigurt që ta lëmë programin në duar të tyre, sepse jemi të bindur që ata do të bëjnë një punë të shkëlqyer”.
Ky projekt, krahas pjesës praktike në fushë, ka një aplikacion dixhital me anë të të cilit do të përcillen të gjitha aktivitetet dhe zhvillimi i projektit, përkatësisht fëmijëve në çdo shkollë, duke kontribuar në zhvillimin e fëmijëve si individë të mirë për shoqërinë.