Përfundon misioni 20-vjeçar i SHBA-ve në Afganistan

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani.
Lajmi është konfirmuar nga Pentagoni. Fluturimi i fundit i forcave amerikane nga Aeroporti i Kabulit të hënën në mbrëmje shënon fundin e luftës më të gjatë të SHBA-së, pas plot 20 vjetësh.
Rreth 6 mijë amerikanë janë evakuuar nga Afganistani që nga 14 gushti.
Ndërsa, mbi 120 mijë njerëz deri tani janë evakuuar nga forcat e koalicionit që kur talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.
Në bazë të një marrëveshjeje mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara të arritur në fillim të vitit 2020, për tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani, pas 20 vjetësh të operacioneve atje, talibanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë që territori afgan të përdoret nga grupet terroriste.
Afati përfundimtar për tërheqjen e plotë të forcave të huaja ishte nesër 31 gusht.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka qenë nën presion për të shtyrë afatin e evakuimit mirëpo ai kishte kundërshtuar duke thënë se ekziston rreziku nëse forcat amerikane vazhdojnë të qëndrojnë në terren.
SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001.
Ndërkohë në një video që është ndarë në rrjetet sociale,  në aeroportin e Kabulit janë dëgjuar të shtëna me armë, me sa duket duke festuar përfundimin e përfshirjes ushtarake amerikane në vend.

Back to top button