Përfundon pa takim tre palësh rundi i ri i bisedimeve në Bruksel
(Lajm i përditësuar)
Në Bruksel kanë përfunduar takimet e kryenegociatorëve me emisarin Miroslav Lajçak. Klisman Kadiu, zëdhënësi kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi tha për portalin rtv21.tv se nuk ka pasur takim trepalësh.
“Takimet kanë përfunduar. Nuk ka patur takim trilateral. Vetëm bilateral me emisarin Lajçak”, tha Kadiu.
Dialogu Kosovë-Serbi, kryenegociatorët sot në Bruksel
Sot në Bruksel do të mbahet takimi i ardhshëm në mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë- Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Fokusi i takimit pritet të jetë implementimi i marrëveshjeve të arritura, derisa kryenegociatorët pritet të kenë takime vec e vec me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, por pritshmëritë janë që nuk do të ketë takim në mes Bislimi dhe Petkoviq..
Para takimit ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin për të caktuat datën dhe agjendën e takimit të sotëm. Ndërkohë, pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më 13 shtator deklaroi se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.
Ndërkohë, dje Qeveria e Kosovës njoftoi se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut.
Përndryshe, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dje ka ripërsëritur se dialogu ka vdekur për këtë vit. Edhe analistët nuk presin që do të ketë ndonjë hap konkret sa i përket dialogut, duke pas parasysh se në Kosovë tanimë është caktuar data e zgjedhjeve nacionale, të cilat do të mbahen në muajin shkurt.