A do të mbështetet Kosova nga Plani i Rritjes së BE-së?

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin së fundmi ia kujtoi Qeverisë së Kosovës se do të ketë pasoja në rast se nuk vepron në pajtim me këshillat gjermane për CEFTA-n. Sipas Sarrazinit, nëse Kosova bllokon CEFTA-n, do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkohet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së.
Këtë paralajmërim të emisarit të Gjermanisë dhe jo vetëm, analistët e shohin tejet shqetësues. Sipas, politologut Fidan Ukaj, Qeveria duhet të marrë seriozisht këshillat e aleatëve, për të mos rrezikuar përjashtimin nga plani i BE-së për rritje.

“…ne po i shohim efektet e masave që BE i vendosi Kosovës dhe mosndarja e mjeteve shtesë që komisioni evropian i ka zotu për vendet e BP me përshpejtu rrugen e tyre drejt BE sigurisht që është një hendikep i madh e poashtu një veçim i Kosovës nga rajoni sepse ato fonde janë nda për me i vecu e plotësu boshllëqet qe vendet e BP I kanë në sfera të caktuara. Është hendikep i madh nëse Kosova nuk përfiton nga ky fond e poashtu vazhdohen masat e BE-së…”, tha Ukaj për rtv21.

Mos mbështetja e Kosovës nga fondi i BE-së do të ishte një goditje e madhe për ekonominë e vendit thotë ekonomisti, Mustafë Kadriaj, i cili po ashtu tërheq vërejtjen se pjesëmarrja e Kosovës në nisma të tilla do të ndikonte në heqjen e masave të BE-së.

“…ne edhe ashtu kemi një zhvillim të ulët ekonomik e edhe nivelin e mirëqenies e kemi më të ulëtin në nivelin rajonal. Më shumë se asnjë shtet tjetër kemi nevojë për këto fonde. Momentin që e kalojmë këtë vlerësoj që do të hiqen edhe masat sepse edhe si rezultst i masave janë ndërprerë shumë fonde të tjera. Unë vlëtësoj qe do të jetë fatale nga ana ekonomike dhe ajo politike…”, tha Kadriaj.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka ftuar për të enjten, me 19 shtator, liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune, fokusi i së cilës do jenë pagesat e para nga Plani i Rritjes. Bëhet fjalë për pakon më të madhe financiare që BE ka ndarë ndonjëherë për shtetet e Ballkanit Perëndimor./RTV21/21Media

Back to top button