Përfundon pjesa e dytë e provimit të maturës

Sipas KShM-së kësaj radhe ka pasë më pak tentime të nxënësve për të kopjuar

Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), vlerëson se Provimi i Maturës Shtetërore ka përfunduar me sukses dhe i tërë procesi ka shkuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë. Sipas një komunikate nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, këtë konstatim, Komisioni e ka bazuar në raportet, të cilat kanë ardhur nga terreni, respektivisht nga të gjitha qendrat ku është organizuar tesimi për rreth 25 mijë maturantë, të cilët i kanë plotësuar kriterët dhe kërkesat për t’iu nënshtruar këtij testi.

“KShM bën të ditur se Provimi ka filluar me kohë në të gjitha qendrat, pasi që testet janë shpërndarë dhe nuk ka pasur mungesa të testeve. Po ashtu, administratorët dhe kryetarët e qendrave të testimit kanë arritur me kohë në qendrat ku kanë qenë të caktuar”, thuhet në komunikatë.

Nxënësit në disa qytete të Kosovës sërish kanë arritur ta fotografojnë dhe shpërndajnë testin në rrjetet sociale. Megjithatë, KShM thotë se tentimet për kopjim dhe shpërndarje të testit në rrjetet sociale kanë qenë shumë më të pakta se në të kaluarën. Ndërsa, sipas tyre edhe në rastet kur ka pasur tentime të tilla, janë identifikuar dhe raportuar dhe ndaj tyre do të merren masat që i përcakton Ligji.

Provimi është mbajtur në 201 qendra të testimit, ndërsa për mbarëvajtjen dhe administrimin e tij janë angazhuar 2 mijë e 100 administrues dhe 600 komisionerë.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore do të publikohen 3 korrik 2017 në të gjitha shkollat ku nxënësit kanë mbarura shkollimin e mesëm të lartë./21Media

Back to top button