Përfundon protesta në Prishtinë, nesër protestohet në Drenas

“Dy hapa mbrapa”

Ka përfunduar protesta e sotme e organizuar pas rastit të vajzës nga Drenasi e cila dyshohet se është keqpërdorur seksualisht.

Protestuesit vazhdimisht kërkuan që policët që distancohen nga ky veprim, e t’i bashkëngjiten një minutë kësaj proteste me thirrjen “Dy hapa mbrapa”, por policia nuk reagoi.

Trina Binaku, njëra nga organizatoret e kësaj proteste ka thënë për RTV21 se kjo protestë me moton ‘Përdhunuesit në burg’ është organizuar me qëllim të dënimit dhe kundërshtimit të dhunës sistematike brenda institucioneve të Kosovës ndaj grave. Organizatorja ka paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe në protestën e nesërme që organizohet në Drenas nga Shoqëria Civile.

Protesta përfundoi me thirrjen që nesër t’i bashkohën protestës në Drenas.

Para stacionit të Policisë ishin mbledhur qytetarë të shumtë, ndër ta shoqëri civile, gazetarë e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Ditën e martë në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Polici në fjalë është arrestuar. Lidhur me rastin Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka mbajtur një konferencë për media, ku ka treguar për rrjedhshmërinë e ngjarjes. Ai po ashtu ka bërë të ditur se mësimdhënësi SH. XH është ripezulluar nga puna.

Hetuesi i dyshuar do të përballet me gjykatën në orën 14:00./21Media

Back to top button