Mbledhje urgjente e Këshillit për Siguri në Drenas

Diskutohet për rastin e të miturës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për të diskutuar lidhur me rastin e fundit të dyshimit për abuzim seksual nga polici dhe profesori ndaj të miturës.

“Mbledhja e KKSB-së do të mbahet sot (07.02.2019) duke filluar nga ora 15:00 në Sallën e mbledhjeve të Bordit të Drejtorëve dhe ftohën të gjithë anëtarët e KKSB-së të marrin pjesë për të diskutuar këtë çështje.”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndërkohë që sot në Prishtinë qytetarë të shumtë po protestojnë para Stacionit Qendror të Policisë, me moton ‘Përdhunuesit në Burg’.

Trina Binaku, njëra nga organizatoret e kësaj proteste ka thënë për RTV21 se kjo protestë me moton ‘Përdhunuesit në burg’ është organizuar me qëllim të dënimit dhe kundërshtimit të dhunës sistematike brenda institucioneve të Kosovës ndaj grave. Organizatorja ka paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe në protestën e nesërme që organizohet në Drenas nga Shoqëria Civile.

Ditën e martë në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Polici në fjalë është arrestuar. Lidhur me rastin Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka mbajtur një konferencë për media, ku ka treguar për rrjedhshmërinë e ngjarjes. Ai po ashtu ka bërë të ditur se mësimdhënësi SH. XH është ripezulluar nga puna.

Hetuesi i dyshuar do të përballet me gjykatën në orën 14:00, ku do të caktohet masa e paraburgimit./21Media

Back to top button