Përfundon qetësisht protesta paqësore anti-Speciale në Shkup

(Lajm i përditësuar)



Përfundon qetësisht protesta paqësore anti-Speciale në Shkup

Një orë pasi u shpall e hapur, përfundoi protesta e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në Shkup.

Fjalimin e fundit e mbajti kryetari i BDI-s, njëherësh një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, i cili kërkoi liri për çlirimtarët që po gjykohen në Hagë.

Vlen të theksohet se protesta nisi dhe përfundoi pa asnjë incident të vetëm të raportuar deri më tani.


Gucati: Gjykata Speciale si gjykatat e ish-Jugosllavisë, i kërkojmë Evropës drejtësi të mirëfilltë

Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në fjalën e tij në protestën që po mbahen në Shkup, ka thënë se tubimi i sotëm dhe protestat paraprake, tregojnë që UÇK rrjedh dhe mbrohet nga populli.

Gucati ka thënë se nga Shkupi i dërgojnë mesazh Trendafilovës.

“Me të gjithë këta këtu, dhe protestat e kaluara, i tregojmë Trendafilovës që UCK rrjedh nga populli dhe mbrohet nga populli”, ka thënë Gucati.

Ai tutje ka thënë se Specialja ngjanë me gjykatat në kohën e ish-jugosllavisë.

“Gjykata Speciale është politike dhe i ngjanë gjykatave të Ish-jugosllavisë së kohës së Titos”.

“kërkojmë që kjo gjykatë të jetë  e mirëfilltë dhe Evropa të bëjë drejtësi të mirëfilltë”, është shprehur Gucati.


Nis protesta në Shkup, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Në Shkup ka nisur protesta e thirrur nga OVL-UÇK në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Në protestë po marrin pjesë kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Ngucati dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti,  para nisjes së protestës ka theksuar se protesta synon kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia, duke shtuar se pjesëmarrja është një akt përgjegjësie për nderimin e sakrificës dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.

“Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë. Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”, tha ai.


Daut Haradinaj: Kombi shqiptar është bashkë, populli e din çka ka ndodhë në Kosovë

Daut Haradinaj nga AAK për RTV21 ka thënë se protesta e sotme në Shkup është mesazh për bashkësinë ndërkombëtare.

“Është një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare që bashkëluftëtarët tanë të kthehen sa më shpejt.Kombi shqiptar është bashkë . Populli ynë e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë, presim kthimin e tyre të pafajshëm”, tha ai./21Media


Hasani: Shqiptarët pa dallim partie kanë ardhur në Shkup për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së

Nait Hasani nga PDK në protestën në Shkup që po mbahet për ish krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë tha për RTV21 se shqiptarët në këtë protestë kanë shkuar pa dallim partie apo feje. Duke treguar edhe vendet nga të cilat kanë ardhur ata.

“Kjo atmosferë dhe këta njerëz kanë ardh nga gjitha anët e takova shqiptare por edhe nga diaspora, tregon vullnetin e tyre, mbrojtjen e vlerave të luftës dhe lirisë tonë. Këtu kanë ardh shqiptarët pa dallim partie, feje, kanë ardhur për të mbrojtur vlerat e UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, të cilët janë padrejtësisht në Hagë atje”, tha Hasani për RTV21.

Për deklarimet e Maqedonisë së Veriut pë mbajtjen e kësaj proteste tha se janë të zakonshme për shkak të sigurisë./21Media


Protestuesit vazhdojnë të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Shkup

Qindra protestues kanë arritur në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, para fillimit të protestës gjithëkombëtare në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta pritet të fillojë në orën 13:00.

RTV21 sjell pamje:


Gucati: Veteranët po e kalojnë kufirin pa asnjë problem

Te sheshi “Skënderbeu” në Shkup po bëhen përgatitjet për protestën në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka thënë se qytetarët nga Kosova kanë kaluar kufirin për në Maqedoninë e Veriut pa ndonjë problem, përfshirë veteranët e luftës.

“Deri tash kufiri është i lirë dhe nuk problem fare në kufi, janë duke kaluar qytetarë, veteranë, pa problem po vijnë deri në këto momente”, u shpreh ai për kp para fillimit të protestës.


Shkupi në pritje të protestës drejtësi për çlirimtarët

Pranë sheshit “Skënderbeu” në Shkup po bëhen përgatitjet për protestën gjithëkombëtare në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta.

Kjo është protesta e radhës, ku sërish pritet të mblidhen shqiptarë nga të gjitha trevat me thirrjet për drejtësi.

Me mijëra shqiptarë kanë marrë pjesë edhe në protestën e mbajtur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, ku u bë thirrje për drejtësi të ish-krerë e të UÇK-së.

Një tjetër protestë e madhe është mbajtur më 14 shtator në qytetin holandez në Hagë, ku me mijëra shqiptarë u mblodhën nga Evropa, Amerika por edhe Kosova që të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo protestë u organizua një ditë para se të dëgjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bëhet fjalë për ish-ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin.

Diplomati amerikan dëshmoi para trupit gjykues për procesin e Rambujesë, ku ndër tjera ka thënë se Hashim Thaçi nuk kishte rol udhëheqës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, ai ka thënë se UÇK nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Dëshmia e tij u vlerësua si një nga më të rëndësishmet në këtë proces.

Në prill të vitit 2023 ka nisur procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës, pati sjell në gjykatore rreth 125 dëshmitarë, ndërkaq është mbështetur në mbi 100 dëshmi me shkrim./kp


Sot protestohet në Shkup për krerët e UÇK që janë në Hagë

Sot në Shkup do të mbahet protesta e thirrur nga OVL-UÇK në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Protesta pritet të nisë nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbe” në Shkup.

Ajo është përkrahur nga shumë figura politike.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm.

Ai ka theksuar se protesta synon kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia, duke shtuar se pjesëmarrja është një akt përgjegjësie për nderimin e sakrificës dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.

“Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë. Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”, tha ai.

Ndërkaq, nga Prishtina mbështetje i dha edhe kryetari Përparim Rama, i cili tha se pas Prishtinës dhe Tiranës, edhe Shkupi ngre zërin për drejtësi.

“Kjo është një thirrje për unitet, respekt dhe mbrojtje të vlerave që na bashkojnë si popull. Shpreh mbështetjen time për të gjithë shqiptarët e Shkupit dhe të gjitha trevave që nesër protestojnë në mënyrë paqësore, në mbrojtje të UÇK-së, si vlerë e patjetërsueshme kombëtare. Si kryetar i kryeqytetit të Republikës së Kosovës, do të jem gjithmonë krah bashkëkombësve të mi. Forca jonë si popull qëndron te uniteti, respekti dhe mirënjohja”, ka shkruar Rama.

Back to top button