Kosova dhe Serbia do të dalin me propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit

(Lajm i përditësuar)

Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Kështu tha në fund të takimit kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.

Për javën e ardhshme, ai paralajmëroi një takim tjetër, për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, “do të ishte i pranueshëm për Kosovën”.

Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Duke folur pas takimit, Petkoviq tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse “kjo do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”.

Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova ndaloi përdorimin e dinarit serb nga 1 shkurti, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.


Në Bruksel ka nisur takimi i përbashkët ndërmjet emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryenegociatorit të Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkovq.

Paraprakisht, Lajçak priti veç e veç Bislimin dhe Petkoviqin.


Nis takimi në Bruksel, Lajçak pret Bislimin

Në Bruksel ka nisur takimi në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së për bisedime, Mirosllav Lajçak. Pas përfundimit të këtij takimi emisari i BE-së, pritet që të zhvillojë takime edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Takimi i përbashkët ende nuk është konfirmuar, pasi siç thuhet, gjithçka varet nga atmosfera që do dominojë gjatë takimeve të ndara.


Sot në Bruksel takimi i kryenegociatorëve, temat kryesore dinari dhe Ohri

Në Bruksel sot do të takohen kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.

Ky i fundit tha se në takim do të diskutohen të gjitha çështjet e rëndësishme për “deeskalimin e situatës, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe çështjen e dinarit”.

Këshilltari për media i Besnik Bislimit, Klisman Kadiu tha të premten se ftesa për Bruksel potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit.

Ditë më parë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka njoftuar se në takim do të flitet me theks për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që dinari serb të mos përdoret si mjet i pagesave.

Stano ka shtuar se në agjendën e së martës është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, që ai e ka quajtur çështje urgjente.

Back to top button