Përfunduan pjesët e para, Drita e Prishtina në epërsi si mysafirë

 
Drita nga Gjilani pas 45 minutave të parë avancon në “De Kuip” të Roterdamit kundër Feynoord, 15 herë kampion i Holandës, me synim për të kaluar në raundin e tretë kualifikues të Europa Conference League.
Ndeshja e parë në Gjilan përfundoi pa gola, por sonte skuadra gjilanase tregoi se di të ndëshkojë çdo gabim të mbrojtjes kundërshtare.
Gjilanasit patën rast të mirë shënimi qysh në minutën e dytë, por goditja e Astrit Fazliut kaloi pranë portës kundërshtare.
Vendësit erdhën në epërsi pesë minuta më vonë, kur mesfushori Guus Til tundi rrjetën e Malokut të Dritës për 1:0.
Goli i pësuar duket se ndikoi te gjilanasit për të “ndezur motorët” në kërkim të barazimit, të cilin e arritën pas një aksioni të bukur në minutën 11 përmes Marko Simonovski.
Pesë minuta më vonë Astrit Fazliu shënoi golin e dytë për nënkampionin e Kosovës, pas një gabimi të mbrojtjes vendëse. I njëjti lojtar në minutën 30 kishte rast të mirë shënimi, por goditja e tij u ndal nga portieri vendës.
Rast ideal për golin e tretë pati edhe Simonovski në minutën 39, por portieri vendës Bijlow evitoi më të keqen duke shpëtuar portën e tij.
Në ndeshjen tjetër të raundit të dytë të Europa Conference League, Prishtina avancon si mysafire kundër skuadrës uellsiane Connah’s Quay Nomads me rezultat 2:1 në Park Avenue. Inslal solli vendësit në epërsi në minutën e tretë, ndërsa kampioni i Kosovës riktheu epërsinë me golat e Krasniqit në minutat 29 dhe 36.
Ndeshja e parë në “Fadil Vokrri” përfundoi me fitoren bindëse të Prishtinës prej 4:1.

Back to top button