Përgjatë 24 orëve të fundit, 5 vatra zjarri

Emergjencat Civile kanë njoftuar sot mbi situatën e zjarreve dhe masat përgjatë 24 orëve të fundit

Sipas EC, “përgjatë 24 orëve të fundit ka patur 5 vatra zjarri, me dëme materiale. Strukturat e Emergjencave Civile janë në gatishmëri dhe kanë ndërhyrë në çdo situatë. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.

Në Qarkun Shkodër, EC thekson se, “në fshatin Dardhë, Njësia Administrative Blerim, bashkia Fushë-Arrëz, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Pukë, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe kanë punuar me mjete rrethanore për të shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u përshkruan nga flakët një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe disa pisha”.

Ndërsa në Qarkun Elbasan sipas EC, “në fshatin Ermenj, Njësia Administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Shërbimi vendor i MZSH Gramsh, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Për ndihmë shkuan 30 forca ushtarake dhe pas një pune të gjatë kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 7 ha shkurre dhe 7 dynym pisha”.

“Në Qarkun e Vlorës në fshatin Nartë, Njësia Administrative Qendër, bashkia Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Shërbimi vendor i MZSH Vlorë, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.2 ha me shkurre dhe pisha. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar”, bëjnë të ditur EC.

“Në Qarkun Durrës, në fshatin Arrameras, Njësia Administrative Fushë-Krujë, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre pranë një biznesi pularie. Shërbimi vendor i MZSH Krujë, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre”, shtojnë EC.

“Ndërsa në Qarkun e Dibrës në fshatin Fushë-Bulqizë, Njësia Administrative Bulqizë, bashkia Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha të vogla. Shërbimi vendor i MZSH Bulqizë, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.3 ha me shkurre dhe pisha të vogla”, theksojnë EC.

Back to top button