Përkujtohen dëshmorët e kombit Ilir Konushevci dhe Hazir Mala

Akademi përkujtimore për Ilir Konushevcin dhe Hazir Malnë

Çlirimi i Kosovës e bëri realitet ëndrrën e të gjithë dëshmorëve tonë, e bëri realitet ëndrrën, mundin dhe gjakun e të gjithë heronjve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe martirëve të lirisë, i bëri realitet aspiratat dhe dëshirat e shumë brezave të popullit tonë. Kështu thanë të pranishmit në një akademi përkujtimore të martën, nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa në Tiranë me rastin e nëntëmbëdhjetë vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, gjeneral major Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Mala.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës, familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve Konushevci e Mala dhe qytetarë nga Kosova e Shqipëria.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, të pranishmëve në këtë akademi iu drejtua zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi.

Duke vlerësuar lartë luftën e dëshmorëve Konushevci e Mala, zëvendësministri Latifi, tha se për dallim nga luftërat çlirimtare të popujve të tjerë, organizimi dhe lufta e UÇK-së në këtë drejtim ka pasur dy përparësi, pasi Kosova ka pasur Shqipërinë si bazë të zonës së lirë në prapavijë dhe ka pasur njerëzit dhe rrugët e saj për furnizimin me armatim të UÇK-së.
“Jo rastësisht, për këtë detyrë jeta e kishte përgatitur të madhin Ilir Halit Konushevci, djalin nga Llapi të lindur me 20 qershor të vitit 1969 në fshatin Llugë, të Podujevës, fshat ky i njohur për kontributin dhe djemtë e tij që ka dhënë për lëvizjen kombëtare shqiptare. Në këtë periudhë kohore, Iliri përveç që e përfaqësonte Zonën Operative të Llapit në Shtabin Qendror të UÇK-së, ai ishte caktuar si person përgjegjës për mbështetje logjistike dhe furnizim me armatim të luftëtarëve të UÇK-së. Kjo detyrë e bëri Ilirin, që të bashkëjetonte me çdo bashkëluftëtar në front, me çdo dëshmorë të rënë, si dhe të jetonte me shqetësimin e përhershëm për furnizimin e shokëve me armatim dhe municion të mjaftueshëm”, tha ai.

Latifi ka theksuar se lufta e filluar nga Iliri, doktor Haziri dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë nuk u ndal deri në fitoren përfundimtare, deri në çlirimin e plotë të Kosovës.
Të pranishmit në këtë akademi me nga një fjalë i kanë përshëndetur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini dhe gjenerali i FSK-së, Enver Cikaqi.
Ndërsa në emër të familjarëve të heronjve, të pranishmit i përshëndeti, bashkëshortja e heroit Hazir Mala, znj. Fatime Mala.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me këtë rast ndau dekorata për dy heronjtë, Ilir Konushevci e Hazir Mala.

Pas fjalimeve, u shfaq dokumentari titulluar “Buka e UÇK-së, historia e grupit të logjistikës-Mërgimi”.
Po ashtu janë bërë homazhe me rastin e nëntëmbëdhjetë vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, gjeneral major Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Mala./21Media

Back to top button