Përkujtohet Greva e Minatorëve që tronditi themelet e Jugosllavisë

 

Minatorët e Trepçës së bashku me përfaqësuesit e menaxhmentit të kësaj ndërmarrje, kanë shënuar sot në mënyrë simbolike manifestimin tashmë tradicional “Java e Minatorëve”, duke përkujtuar kështu grevën e urisë 32 vite më parë në mbrojtje të Kosovës, që asokohe tronditi themelet e Jugosllavisë.

Ata fillimisht vunë lule dhe bënë homazhe pranë varrit të heroit Mehë Uka në fshatin Bajgorë, për të vazhduar me vizita tek memoriali “Adem Jashari” në Prekaz, varrezat e dëshmorëve në Shipol, ndërsa aktivitetin e tyre e përfunduan tek pllaka përkujtimore e minatorëve të vitit 1989 në qendër të qytetit të Mitrovicës.

Shyqyri Sadiku, njëri nga pjesëmarrësit e asaj greve, njëherit anëtar i Bordit të Trepçës, tha se greva e minatorëve në vitin 1989, ka qenë grevë madhështore.

Sipas tij, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, është dashur të gjenden forma tjera në mënyrë që të përkujtohet dhe mos të harrohet ngjarja e para 32 viteve.

Në emër të familjes, vëllai i heroit Mehë Uka, Rasim Uka, ka falënderuar minatorët dhe stafin menaxhues për respektin dhe nderin që i bënë me vizitën e tyre.

Ndryshe, para 32 vjetësh minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë në mbrojtje të Kosovës nga synimet e errëta të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.

Kjo grevë, qe shndërruar në rezistencë gjithëpopullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. Ajo ngjalli interesimin e botës për Kosovën dhe e bëri të njohur se kishte një problem shqiptar të pazgjidhur.

Ishin rreth 1 mijë e 300 minatorë që kishin zbritur në horizontet e minierës, ku qëndruan për tetë ditë, të vendosur të flijonin jetët e tyre për një të ardhme më të dinjitetshme të brezave që do të vinin.

Mbi 1200 minatorë u dënuan me nga 30-60 ditë burgim, ndërsa ndaj 14 të tjerëve, bashkë me udhëheqjen e Kombinatit Trepça dhe Azem Vllasin, si figurë politike, u zhvillua një proces monstruoz politik.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button