Përleshje fizike ndërmjet dy zyrtarëve të MKRS, deklarohet Prokuroria për RTV21

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për portalin rtv21.tv se është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale “sulm ndaj personit zyrtar” në lidhje me përleshjen fizike që u raportua se ka ndodhur të mërkurën mes dy zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas Prokurorisë ky rast është duke u hetuar nga ana e prokurorit të shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës.
“Sa i përket rastit për të cilin keni kërkuar informacione, ju njoftojmë se rasti është inicuar për shkak të veprës penale sulm ndaj personit zyrtar dhe se rasti është duke u hetuar nga ana e prokurorit të shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për portalin rtv21.tv
Lidhur me këtë rast të mërkurën ka reaguar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ai përmes një konference për media ka dënuar dhunën dhe gjithashtu sipas tij kjo dhunë duhet të jetë e dënueshme.
“Informatat jemi duke i marrë, faktet duke i kontrollu, besoj edhe Policia po e kryen pjesën e saj që është shumë e rëndësishme në këto raste. Nuk mund të marrë më shumë informata pasi edhe unë po marrë. Dhuna ose sulmi fizik është i papranueshëm, i patolerueshëm dhe absolutisht i dënueshëm”, ka thënë Çeku të mërkurën./21Media