Përmbytjet në Pakistan, shpallet gjendje e jashtëzakonshme 

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Pakistan për shkak të shirave munsonike që kanë lënë të vdekur rreth 900 njerëz që nga qershori, kanë prekur më shumë se 30 milionë njerëz, 180.000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në veri.
Përmbytjet masive në provincën veriore Khyber Pakhtunkhwa kanë shkaktuar ngritjen e lumit Kabul, duke shkatërruar një urë sot dhe duke lënë disa fshatra pa qasje në rrugë.
Rreth 180.000 njerëz në qarkun Charsadda kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të frikës nga përmbytjet, sipas zyrtarëve lokalë. Disa banorë, raportohet se kanë kaluar natën në autostrada me bagëtitë e tyre.
Ministri i ndryshimeve klimatike të Pakistanit e ka quajtur situatën “një fatkeqësi humanitare me përmasa epike të shkaktuar nga ndryshimet klimatike”.
Kulmi i përmbytjeve pritet nesër, pasi meteorologët kanë njoftuar periudhën e musonit, e cila zakonisht zgjat nga qershori deri në shtator dhe është e rëndësishme për ujitjen dhe rimbushjen e furnizimeve me ujë të nënkontinentit indian, por çdo vit sjell pasiguri dhe shkatërrim.

Back to top button