Përmes Projektligjit për mbështetjen e punëve publike synohet të rriten investimet kapitale

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka miratuar të hënën Projektligjin për mbështetjen e punëve publike. I njëjti u konsiderua i domosdoshëm dhe që krijon lehtësira për investimet kapitale nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Mirëpo, partitë opozitare e vlerësuan të vonshëm dhe me specifika të gabuara.
Ministri Murati, duke arsyetuar projektligjin, tha se ai parasheh një kompensim shtesë në maksimum 20 për qind për materialet ndërtimore që janë shtrenjtuar si pasojë e inflacionit. Ai tha se i njëjti vlen për kontratat e mëhershme që janë nënshkruar para datës 1 prill të këtij viti, pasi sipas tij, operatorët ekonomik, nuk kanë përfunduar punimet e kontraktuara për shkak të rritjes së çmimeve.
Kësisoj, theksoi se miratimi i projektligjit do të bëjë që të shtohet dinamika e punimeve në punët publike. Ai tha se kompensimi deri në maksimum 20 për qind do të jetë nga korriku i këtij viti deri në qershor të vitit 2023.
“Projektligji parasheh një kompensim shtesë për inflacionin për kontratat të cilat janë nënshkruar para datës 1 prill të këtij viti. Pra kemi paraparë për kontratat e mëhershme, pasi para kësaj date do të duhej të reflektoheshin çmimet aktuale të tregut. Janë kontratat të mesme dhe të mëdha për projekte kapitale. Projektligji parasheh kompensimin për inflacionin për ato materiale ndërtimore të cilat janë ndikuar nga inflacioni. Përkatësisht, çimento, hekur dhe produktet e hekurit, plastika dhe produktet e plastike, betoni dhe produktet e tij, si dhe zhavorri dhe alumini. Po ashtu, parashihet edhe kompensimi për punë të tjera që do të duhej të reflektonte në indeksin e harmonizuar të çmimeve. Të drejtë për të kërkuar kompensim parashihet të kenë operatorët ekonomik që dëshmojnë se materialet ndërtimore kanë pësuar rritje të çmimeve…Është vënë një tavan sa i përket niveli të kompensimit, për materialet specifike. Duhet të specifikohet pesha e tij në kontratë apo në situatën në punën e kryer, por ajo mesatare nuk duhet të kalojë 20 përqindëshin, pasi tavani është i tillë. Ne konsiderojmë se nëse kalon këtë shifër më e udhës është të ritenderohet dhe shkëputet kontrata”, tha ai.
Mirëpo, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, anëtar i këtij komisioni, renditi kritikat e tij karshi këtij Projektligji. Ai tha se i njëjti është fund e krye gabim dhe që nuk do të ofrojë asnjë zgjidhje. Hoti sugjeroi që të amandamentohet Ligji për Prokurimin Publik dhe jo të shkohet në këtë formë.
“Projektligji është gabim fund e krye në mënyrën si është shtruar. Qëllimin e ka të mirë, duhet të adresohet ky problem, siç janë kontratat publike, kemi kërkuar disa herë si parti opozitare. Por mënyra si e keni shtruar zgjidhjen e këtij problemi është gabim dhe jep mundësi për abuzime. Mendoj se rruga e duhur është amendamenti i Ligjit për Prokurim Publik, me një nen të vetëm do të ishte zgjidh kjo çështje, pasi edhe jemi vonuar bukur shumë. Rritja e çmimeve është që nga muaji mars, në prill veçse është ditë se është e qëndrueshme”, theksoi Hoti.
Por, ministri Murati, tha se Projektligji për mbështetjen e punëve publike ofron një zgjidhje për situatën e krijuar me ngritjen e çmimeve, e cila ka bllokuar dhe ngadalësuar punimet.
Murati: Ky projektligj ofron një zgjidhje për situatën e krijuar
“Këtë projektligj e kemi bërë që të ofrohet një dalje nga kjo situatë. Për punët që pritet të kryhen në këtë periudhë sa parashihet që mund të ketë inflacion dhe shpresojmë deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri për prokurim publik, pastaj që mbulon periudhën tjetër, pas qershorit të vitit të ardhshëm. Ne kemi paraparë këtë kompensim, nëse ky kompensim prej një vlere maksimumi 20 për qind nuk mjafton, atëherë qasja më e mirë është të ritenderohet”, tha ministri Murati.
Nga ana tjetër, të vonuar e quajti këtë projektligj, anëtari i komisionit, deputet i AAK-së, Pal Lekaj. Ai kërkoi të di saktë edhe koston finale të këtij projektligji.
“Me të vërtet jemi vonuar me këtë projektligj pasi tani po hymë në një stinë të dimrit ku nuk punohet. Tjetra, kërkesa e kompanive ka qenë që të shkohet në 30 për qind, në bazë të cilit kriter keni vendos që tavani të jetë 20 për qind…Sa do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, a keni bërë ndonjë përllogaritje. Sa kompani janë të kontraktuara sa të tilla duhet të subvencionohen dhe paguhen”, pyeti Lekaj.
Një gjë të tillë nuk e kishte ministri Murati, i cili tha se kosto totale është e vështirë të thuhet.
“Sa i përket kostos, si kosto totale është e vështirë të thuhet, pasi kemi të bëjmë me vendime individuale të autoriteteve kontraktuese dhe vlerësimet për punë kryerjen se cilat mund të aplikohen dhe cilat jo. Pasi një pjesë e madhe mund të ketë punë kryerje të cilat jo domosdo kanë materiale ndërtimore si imput dhe mund të mos kualifikohen”, tha ai.
Kritika karshi këtij projektligji adresoi edhe anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala.
“Tash po del se fare nuk keni analizë, tash po del se keni lënë vija shabllon, pasi ato të infrastrukturës që po thua nuk janë zink, tjetër është materialet e hekurit të zinguara. Këtu mundësia e operimit me çmime, veçanërisht ajo e keqpërdorimit është tepër e madhe. S’keni specifikim, s’keni analizë”, u shpreh ai.
Për këtë projektligj votuan vetëm deputetët e koalicionit qeverisës, ndërsa nga PDK dhe AAK u përmbajtën nga votimi, kurse deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti votoi kundër.
Komisioni gjatë mbledhjes së të hënës diskutoi edhe për raportin vjetor financiar për buxhetin e Kosovës për vitin 2021./kp

Back to top button