Përpjekje “për ta relaksuar atmosferën”! Pendarovski dhe Radev udhëtojnë bashkë drejt Romës

 

 

Në mesditë, presidenti bullgar Rumen Radev, ateroi në Shkup.

Me tepih të kuq e me gardë e priti homologu i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Radev është nisur për në selinë e shenjtë në Romë, por në Shkup ndaloi ta marrë edhe delegacionin e Maqedonisë së Veriut. Së bashku atje do të nderojnë dy figurat më të rëndësishme për të dy popujt, Shën Kirilin dhe Metodin.

Para se të merrnin rrugën drejt perëndimit, u takuan në hapësirat për pritje zyrtare të aeroportit, ku interesimi i mediave ishte i madh.

“Interes i madh”, tha Pendarovski.

Vëmendja kaq e madhe ndaj krerëve të dy shteteve është edhe për shkak se kontestet historike mes Shkupit dhe Sofjes janë theksuar si asnjëherë më parë. Takimi dhe udhëtimi i përbashkët i tyre shihet edhe si përpjekje për të zbutur tonet. Aq më tepër tani në prag të qershorit, kur në Bashkimin Evropian duhet të vendoset për hapje të bisedimeve anëtarësuese të Maqedonisë së veriut. Herën e fundit Bullgaria tha “jo”, për shkak të çështjeve të pazgjidhura historisë.

“Negociatat mes vendeve tona i udhëheqin Qeveritë dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Kuptohet se ne jemi këtu nëse duhet të relaksojmë atmosferën dhe me një gjuhë më ndryshe të flasim për problemin që kemi tanimë 1 vit. Vlerësoj se është e nevojshme rikthimi i besimit dhe si miq të flasim edhe për çështjet më të vështira të cilat për momentin na ndajnë, ndërsa unë shpresoj se së shpejti do të na afrojnë”, u shpreh Pendraovski, përcjell tv21.tv.

“Udhëtimi në Romë për të nderuar vëllezërit Shën Kirili dhe Metodi është rast i mrekullueshëm që të freskojmë dialogun mes dy shteteve në nivel më të lartë dhe të theksojmë dëshirën tonë të përgjithshme për zhvillim të lidhjes sonë në frymën e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë”, tha Raedev.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nuk qëndruan gjatë. “Në përgjithësi biseduam për atë se çka ka ndodhur gjatë këtyre ditëve në Bruksel”, tregoi Pendarovski. Shtoi gjithashtu se në Romë si dhe gjatë kthimit nga atje do të kenë mundësi për të biseduar më shumë. Kështu së bashku u ngjitën në aeroplanin zyrtar bullgarë, dhe fluturuan drejt Romës./TV21

Back to top button