Përplaset Konjufca me Musliun për punësimet familjare

Punësimet familjare janë bërë “mollë” sherri për përplasje ndërmjet kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.
Ishte kryeparlamentari Konjufca që propozoi që gjithë deputetët që kanë familjarë të punësuar në institucione publike, mos të flasin për nepotizëm në Kuvend. Kjo nxiti reagime nga deputetja Musliu, por që më vonë, Konjufca tregoi me detaje për punësimet familjare sa ka qenë në krye të Ministrisë së Punëve të Jashme (MPJ).
“E keni dezorientu shumë qytetarin me këto termet, nepotizëm dhe familjarizim. Për me qenë parimor në Kuvend, po e qesim një projekt-propozim dhe e votojmë në Kuvend. A pajtoheni si deputetë të Kosovës gjithë çka jemi 120, kush e ka qoftë edhe një familjarë të punësuar në institucionet e shtetit, merr rrogë prej institucioneve të Kosovës mos me fol hiç. Unë mendoj që nuk është asnjë”, tha ai.
Pas reagimeve të deputetëve prej vendeve të tyre, kryeparlamentari ia përmendi deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu punësimin e motrës së saj në MPJ.
“Gane a e ke pas në shërbimin e jashtëm motrën tënde, a e ki ende? A është pranuar me konkurs, a ka qenë konkursi profesional sipas mendimit tënd? A ka qenë pranimi për motrën tënde profesional në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës? Nëse Gane t’i mendon që motra jote është pranuar në mënyrë profesionale, ti nuk ke të drejtë me çel gojën këtë Kuvend për nepotizëm”, pyeti ai.
Por, në reagimin e saj, deputetja Musliu tha se është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje që ka bërë diferencime politike.
“Jo a e ke pas, por e kam zyrtare të lartë në MPJ dhe jam krenar për të. Por ju jeni ata që e keni kryqëzuar motrën time, vetëm për faktin se është motra ime. Tani ju jeni ata diferencues politik që e thatë përpara, motra e Ganës si një kuadër i shkolluar në Gjermani është kryqëzuar se pse është motra e Ganës. Ndërsa sot, këta zotërinjtë e juaj, familjarët e juaj, dajtë, nipat, tezet, baxhanaka janë profesionistë dhe i kanë plotësuar kriteret. Ju e keni krijuar këtë standard dhe pranoni tash”, tha ai.
Pas kësaj, Konjufca përmendi edhe lidhjet familjare, që sipas tij ka gjetur në kohën sa ishte ministër në MPJ.
“Unë vjet isha ministër i Punëve të Jashtme. Kur shkova aty i gjeta kështu, me radhë. Drejtori im ishte vëllai i shefit të grupit parlamentar të LDK-së. Drejtori tjetër, zëvendësdrejtor në nivel, ishte vëllai i ish-ministrit të Shëndetësisë, tash që po e luan rolin te LDK-ja. A më keni dëgju ndonjëherë me i përmend këta dy emra. Jo, sepse nuk është në nivelin tim me u marrë me këto gjëra. Në momentin që unë nuk kam mundur të gjejë një shkelje të konkursit të pranimit të tyre, ajo nuk bëhet pjesë e propagandës time sepse nuk është pjesë e nivelit tim të diskutimit[…]A e kam përmend motrën tënde deri në këtë sekondë, a e din pse e bëra, për me të tregu që forma e propagandës veç pse është motra jote është asgjë hiç. Veç i irritoni qytetarët e Kosovës. Tash me ia fillu me numra familjarët në BQK, në Telekom, mendoj që në këtë kuvend, me ia pru listën e saktë shkojnë deri te niveli i dhëndrit, vjehrrit, motrave, vëllezërve, lidhjes të gjakut të parë. Vetëm opozita Gane, po të betohem në vajzat e mia 150 familjarë t’i dorëzojë me listë. Po flasë të deputetëve opozitar, me listë kam me t’i dorëzu”, tha ai.

 

Back to top button