Përplasje mes policisë dhe banorëve të Ivanidollit që kundërshtojnë banesat sociale

Këtë mëngjes banorët e Ivanidollit të Kërçovës u ngritën sërish në protestë, pasi sërish nisën punimet për ndërtimin e banesave sociale në lagjen e tyre. Kompania ndërtuese në terren shkoi me një numër të madh sigurimi, gjë që sipas banorëve ka provokuar incidente dhe kanë hyrë nëpër shtëpi duke kërcënuar banorët e lagjes.
Banorët pohojnë se ka pasur edhe kërcënime dhe u është thënë se nuk do të mund të dalin në qytet. Pas përleshjes mes banorëve dhe sigurimit, në vendngjarje ka dalë edhe policia, duke u munduar ta qetësojnë situatën, raporton gazetarja e TV21 nga terreni.
Pas kësaj, kompania ndërtuese ka larguar makineritë dhe për momentin situate është e qetë. Përndryshe, banorët e lagjes Ivanidoll disa herë kanë protestuar kundër banesave sociale të cilat po ndërtohen për komunitetin rom dhe familjet në rrezik social. Ata janë të vendosur se në lagjen e tyre nuk do të lejojnë një gjë të tillë. Disa herë kanë kërkuar takim me kryetarin e Komunës së Kërçovës Fatmir Deharin, por deri më sot ky takim nuk është realizuar./TV21

Back to top button