Përplasjet për postin e presidentit, Manaj i përgjigjet Abazit

Tha se oferta e LDK-së ka qenë që postin e presidentit ta marrë VV-ja, kurse atë të kryeministrit LDK-ja

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, reagoi ndaj deklaratave të deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, pasi ky i fundit deklaroi se posti i presidentit nuk mund t’i takojë LDK-së si parti e dytë në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit.

Në një postim në Facebook, Shkëmb Manaj përkujtoi se në vitin 2001 LDK si parti fituese kishte 47 deputetë, duke udhëhequr Parlamentin dhe Presidencën, ndërsa PDK si parti e dytë kishte vetëm kryeministrin. U shpreh se oferta e LDK-së ka qenë që postin e presidentit ta marrë VV-ja, kurse atë të kryeministrit LDK-ja.

“LDK në kohën e Ibrahim Rugovës në vitin 2001, si partia e parë ka pasur 47 deputetë, ndërsa partia e dytë (PDK) ka pasur 26 deputetë, 21 deputetë me pak se LDK. Në këtë kohë, LDK ka udhëhequr Parlamentin dhe Presidencën, ndërsa Kryeministrin e ka pasur partia e dytë e cila i ka pasur 21 deputetë me pak se partia e parë. Tani VV ka 29 deputetë si partia e parë dhe LDK ka 28 deputetë si partia e dytë, diferenca është vetëm 1 deputet. Nëse z. Haki Abazi, ju ka ba marak që ky kombinim të jetë model i ndarjes së përgjegjësive shtetërore tani, atëherë LDK e ka dhënë edhe këtë ofertë që LDK si partia e dytë ta marr Kryeministrin, ndërsa VV si partia e parë ta merr Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit (edhe pse nuk i ka 47 deputetë sa i ka pasur LDK kur i ka pasur këto dy pozicione). Nëse doni kështu, nesër e arrijmë këtë marrëveshje!”, shkroi ai në Facebook.

Ish deputeti i LDK-së, Gani Geci u shpreh se VV-ja nuk ka të drejtë t’ia mohojë LDK-së propozimin për president. Por, sipas tij Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe të kryeministrit.

Arbërie Nagavci nga VV-ja, më herët ka paralajmëruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në rast të dështimit të marrëveshjes për koalicion qeverisë me LDK-në, e cila po këmbëngulë që të marrë postin e presidentit.

Ndërkaq, Hykmete Bajrami nga LDK-ja, ia ka bërë me dije Lëvizjes Vetëvendosje se nuk mund të dalë me kushtëzime sa i përket postit të presidentit, pasi kjo parti nuk ka fituar 51 për qind të votave.

Back to top button