Përse të dua

Poezi nga autori i njohur shqiptar
Llazar Gusho (1899-1987), i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci është autor i njohur shqiptar. Pseudonimi letrar, me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshirë atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili është shquar për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i ka kënduar Shqipërisë dhe dashurisë./21Media

PËRSE TË DUA

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-
Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.
Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.
Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.
Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.
Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.
O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.
Back to top button