Përshkallëzimi i gjendjes në Veri në prag të zgjedhjeve të 23 prillit?

“Rastet e fundit të djegies së makinave kanë ngritur mundësinë e një përshkallëzimi të situatës në prag të zgjedhjeve të 23 prillit”.

Qytetarët shqiptarë të veriut të Mitrovicës thonë se tashmë janë mësuar me tensione teksa shtojnë se destabilizimi i veriut i konvenon Listës Serbe dhe Beogradit. Sipas tyre zgjedhjet në veri duhet të mbahen.

“Me këto sene na jemi mësu, nuk është hera e parë krejt në dorë i ka shteti”, tha një qytetar i Mitrovicës, ndërsa pohoi se do të dalë në zgjedhje.

“Sa më keq, për ta më mirë. Nëse don me i lyp të drejtat tua, drejtat e popullit tëndë, athëherë dil në zgjedhje” u shpreh një qytetarë tjetër.

Por, ndryshe mendojnë qytetarë serbë. Thonë se zgjedhjet në veri nuk duhet të mbahen.

“Po nuk duhet t’i mbajmë ato zgjedhje, ne kemi përfaqësuesit e zgjedhur të pushtetit tonë. Këto zgjedhje që i shpalli Prishtina për ne janë jolegale dhe jodemokratike, do të thotë nuk duhet të mbahen në veri. Ne nuk do të marrim pjesë”, tha një qytetar serb për RTV21.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje deri në përmbushjen e dy kërkesave: formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës. Ajo ditë më parë paralajmëroi kryengritje nëse nuk lirohet i arrestuari nga Policia e Kosovës i dyshuar për djegie veturash.

Tetë vetura u dogjën javën kaluar në veri të vendit, shumica të riregjistruara me tabela të Republikës së Kosovës.
Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se institucionet e Kosovës duhet të krijojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri pasi që, sipas tij, gjendja mund të përshkallëzohet.

“Nuk është për me u çuditë se duke u ofruar dita e zgjedhjeve do të ngritën tensionet nuk është për me përjashtu por mendoj se institucionet e RKS duhet të insistojnë që të krijohen kushte ato kushte çfarë mund të krijohen në këto rrethana në mënyrë që ata qytetarë që dëshirojnë të votojnë ta kenë mundësinë… Pres që zgjedhjet të mbahen me nr shumë të vogël por megjithatë do të jene zgjedhje legale dhe do të krijojnë struktura”, tha Ferati.

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare, Betim Osmani, shpreson që mos të ketë përshkallëzim të gjendjes në mënyrë që zgjedhjet të mbahen.

“Shpresoj që jo shpresoj që institucionet e sigurisë janë duke i marrë masat që të garantohet siguria e qytetarëve dhe prona e tyre nëse kjo funksion si duhet s’besoj që do të ketë problem për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Osmani.

Gjatë ditës, Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, vlerësoi se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës duke thënë se situata e sigurisë është e paqëndrueshme e që mund të përshkallëzohet edhe më shumë. Të njëjtin vlerësim e dha një ditë më parë edhe Organizata Demokracia në Veprim.

Zgjedhjet në katër komunat veriore u caktuan të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare./21Media

Back to top button