Përurohet Qendra Kulturore Boshnjake në Prizren

Në shënim të Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi morën sot pjesë në ceremoninë solemne të përurimit të Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren.
Kurti me këtë rast vlerësoi kontributin e boshnjakëve në zhvillimin e Kosovës, ndërsa tha se përfaqësuesit politikë të boshnjakëve sot janë pjesë përbërëse e qeverisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe interesat e vendit në tërësi.
“Është nder të jem sot me ju dhe të shënojmë siç na ka hije Ditën e Boshnjakëve. Në këtë ditë kujtohet Parlamenti i Parë Boshnjak i rrethuar në Sarajevë në vitin 1993 dhe dita kur boshnjakët luftuan për të drejtën e patjetërsueshme të emrit të tyre”, tha ai.
Kurti veçoi mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit për komunitetin boshnjak, nëpërmjet Zyrës për Çështje të Komuniteteve, që ka ndarë grante në mbështetje të projekteve për vendimmarrje për rini, aktivitete kulturore, promovim të trashëgimisë së artizanatit për gratë boshnjake, gazetarinë për komunitetin, emisione në radio dhe televizion për komunitetin si dhe Kongresin e intelektualëve boshnjakë të Kosovës, ndërkaq tha se nga 100 të rinj të pranuar në programin e Qeverisë për punë praktike 6-muajshe në institucione, 32 janë nga komuniteti boshnjak.
Ndërsa, zëvendëskryeministrja Rexhepi gjithashtu u shpreh e lumtur që po shënojnë këtë festë kombëtare për boshnjakët duke përuruar Qendrën Kulturore në Prizren.
“Jam krenare që bashku me juve punuam që sot në Prizren boshnjakët të kenë vendtakimin e tyre, këndin e tyre për të rinjtë, OJQ-të, shoqëritë kulturore artistike, gratë, pensionistët, një vend ku ata mund të dëgjojnë muzikë në gjuhën e tyre. Me këtë qendër sot po ruajmë dhe kultivojmë trashëgiminë kulturore së bashku me të gjitha komunitetet tjera në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Back to top button