Përveç përdorimit, do të ndalohet edhe shitja e thëngjillit
Matoshi tha se do të konfiskohet thëngjilli kudo në Prishtinë
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka bërë të ditur se kanë filluar me konfiskimin e thëngjillit në të gjitha rrugët e kryeqytetit. Në kuadër të kësaj, tek po raportonte para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë, Matoshi bëri të ditur se së shpejti do të aktivizohet edhe Policia e Gjelbër. Sipas tij, gjendja e mjedisit për vitin 2017 tregon për një gjendje jo të mirë përkundër përpjekjeve për mbrojtjen e tij.
Matoshi, tha se në ndotjen e ajrit ka ndihmuar edhe dhënia falas e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut.
“Ka pasur raste që ky thëngjill ka përfunduar me shitje. Po ashtu jemi në plan të konfiskimit të thëngjillit kudo në qytetin e Prishtinës. Ditëve në vijim do të ketë aksione për konfiskim në rrugët e Prishtinës. Sa i përket ekonomive familjare, nuk kemi mundur të marrim vendim pasi që thëngjilli përdoret edhe në institucione”, tha ministri Matoshi.
Ndërsa kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, u shpreh se në prill do të dalin me një raport të detajuar. Ai shtoi se tejkalimet e ndotjes së ajrit kanë filluar para 3 javësh. Ai tha se problemi shfaqet kur nuk ka erë.
“Energjetika është ndotësi më i madh dhe termocentralet mbesin ndotësit më të mëdhenj. Kemi ngritje të oksideve të azotit, që dalin nga ‘auspuhi’ i automjeteve. Shumica e automjeteve janë shumë të vjetra dhe nuk kanë katalizatorë. Një problem që Agjencia është duke hulumtuar është edhe produkti i ‘peletit’. Është produkt që kontrollohet nga Ministria e Tregtisë, por si duket mund të jetë më i pashëndetshëm se sa thëngjilli”, tha ai.
Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, u shpreh i pakënaqur që deri në muajin prill nuk do të kenë një raport të detajuar.
“A e keni shqyrtuar që të bëhet ndërprerja e përdorimit të thëngjillit në banesat kolektive”, parashtroi ai. Pas kësaj, mbledhja e sotme u shty për shkak të seancës së jashtëzakonshme.
Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, shprehi pakënaqësitë e tij pasi që tha se shumë pak u fol për raportin. Pas ndërprerjes ka mbetur që brenda kësaj jave të caktohet dita për vazhdimin e kësaj mbledhjeje.
Javën e kaluar në mbledhjen e Qeverisë u aprovua vendim-propozimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit nëpër institucionet publike. Sipas tij, ky vendim ka të bëjë vetëm me institucionet publike, dhe ato duhet të përdorin mënyra tjera alternative.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?