Përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit kontestohet në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar të premten Zyrën e Presidencës se ka pranuar kërkesë për kontestimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj.

Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka shkruar në Twtter se sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja Osmani do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese.

Sipas këshilltarit të Osmanit, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës nëpërmjet një letre sot është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se në këtë Gjykatë është parashtruar një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit.

Ndryshe, më 8 prill 2022, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kishte pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për emërim të kryeprokurorit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, Zyra e Presidentes menjëherë pas pranimit të propozimit, ka filluar konsultimet me vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, për t’u njoftuar më tej për mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatit të propozuar.

Më 13 maj 2022, Zyra e Presidentes së Kosovës është njoftuar përmes një shkrese zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, se njëri nga kandidatët në këtë proces ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e kryeprokurorit të shtetit.

Back to top button