Petkoviq e quan gënjeshtare Osmanin, reagon Presidenca

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i quajti gënjeshta deklarimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se është arritur dakordim për “një pjesë të propozimit amerikan për çështjen e dinarit”.

Ndaj kësaj deklarate të Petkoviqit ka reaguar zëvendëshefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj.

Përmes një postimi ajo tha se kjo retorikë pasqyron mendësinë gjenocidiale të Millosheviqit.

“Shefi i juaj e quajti presidenten tonë ‘mi’, qeveria juaj e krahasoi me ‘miza’ dhe tani ju e quani ‘qen’. Kjo retorikë çnjerëzore pasqyron mendësinë gjenocidale të Millosheviqit e Putinit duke zbuluar një injorancë rrëqethëse të mësimeve të historisë – pikërisht atë që do të prisnit nga një shovinist”, ka shkruar Hollaj në platformën “X”.

Kujtojmë se, Petkoviq kishte shkruar se Osmani po gënjen dhe se asnjë marrëveshje për dinarin nuk është arritur.

“Çfarë do të thoshte populli ynë, Vjosa Osmani gënjen si qen! Asnjë marrëveshje për dinarin nuk është arritur dhe çfarë po bëjnë ata që janë të fortë e të fuqishëm, është se po ia imponojnë një zgjidhje popullit tonë”, kishte shkruar Petkoviq në platformën “X”./21Media

Back to top button