Petkoviq: Ishim në prag të konfliktit serioz

Barrikadat e krijuara nga serbët në veri të Kosovës për të bllokuar pikat kufitare “nuk kanë qenë veprime, por reagime ndaj një vendimi të njëanshëm të Prishtinës”, kështu ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Rakiq, së bashku me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Peter Petkoviq, kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në ndërtesën e Qeverisë në Beograd.
Sipas tyre, në Kosovë janë shmangur konflikte në shkallë të gjerë falë, siç thanë ata, “politikës së mençur diplomatike të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq”.
Ata kanë shtuar se përgjegjësinë e vetme për ngjarjet në veri të Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut, e ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas Petkoviqit, “dëshironte të shkaktonte konflikte në përmasa të mëdha”.
“A e kuptoni që mbrëmë ishim në prag të konflikteve serioze? Ishin mbi 1.000 pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë dhe plani i tyre ishte të pushtonin popullin që do të mbronin pragun e tyre”, ka thënë Petkoviq.
Serbët nga Kosova kanë vendosur bllokada në pikat kufitare më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë dhe ndërrimin e targave të Serbisë.
Pas ndërhyrjes diplomatike të Uashingtonit, Qeveria e Kosovës bëri të ditur për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi në momentin që serbët heqin barrikadat.
“Dialogu dhe tryeza e Brukselit janë i vetmi vend për zgjidhje, jo dërgimi i policisë dhe ndërtimi i barrikadave. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se nuk do të gjejmë zgjidhje me barrikada, por zgjidhja nuk do të vijë as me dërgimin e policisë”, ka thënë mes tjerash Rakiq.
Ai po ashtu i ka thënë Kurtit që të mos u drejtohet serbëve në gjuhën serbe, por në gjuhën e tij amtare./21Media

Back to top button