Petkoviq: Kurti s’mund ta ndalojë vizitën e Vuçiqit në Kosovë, ai nuk pyetet për këtë

Drejtori i së ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, “nuk mund ta ndalojë vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë”.

Ai tha se sipas marrëveshjes për vizitat zyrtare, Kosova mund “vetëm të njoftohet për vizitën e zyrtarëve të Beogradit në hapësirën e Kosovës dhe jo ta miratojë apo ndalojë”.

“Nervozizmi i Albin Kurtit për shkak të marrëveshjes në Ohër, prej nga u kthye pa asnjë nënshkrim apo njohje nga Beogradi, por me detyrimin për të formuar Asociacionin, po përshkallëzohet çdo ditë. Prandaj ai tani kot po mburret se mund të ndalojë vizitën e presidentit Aleksandar Vuçiq tek populli serb në Kosovë edhe pse ai nuk pyetet për këtë!”, ka thënë Petkoviq.

Sipas Petkoviqit, “në Ohër është rënë dakord në mënyrë të qartë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë, prandaj edhe Marrëveshja për vizitat zyrtare, sipas së cilës Prishtina mund vetëm të njoftohet për vizitat e zyrtarëve nga Beogradi në territorin e Kosovës dhe jo ta miratojë ose ta ndalojë atë”.

Në mars të këtij viti, vetë Vuçiq ka thënë se shpreson që do të mund ta vizitojë Kosovën, deri në fund të vitit.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do ta lejonte vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Kosovë. Kurti, më 30 mars, ka thënë se marrë parasysh rrethanat aktuale, Vuçiq nuk do të ishte person i dëshiruar në Kosovë./21Media

Back to top button