Pezullimi i punimeve në ‘Rrugën A’, kërkohet përjashtimi i gjyqtares

Pas pezullimit të punimeve në “Rrugën A” nga Gjykata Komerciale në fillim të këtij muaji, është mbajtur seanca gjyqësore për këtë rast.Kompania “Pro & CO Group” e ka paditur Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe ka kërkuar anulim të vendimit të kësaj të fundit lidhur me “Rrugën A – Pjesën e Parë”.

Në këtë rast është e përfshirë edhe Komuna e Prishtinës si palë ndërhyrëse.Operatori ekonomik “Sallahu” me përfaqësues Daut Rudi, kërkoi përjashtimin e gjykatëses së çështjes Vlora Pacolli- Rexhepi.“Ju jeni e anshme dhe jo-objektive, kërkojmë përjashtimin tuaj. Ky rast nuk do të duhej të trajtohej në këtë gjykatë”- tha avokati Rudi në seancën e së mërkurës.Ai shtoi se gjykatësja nuk kishte zbatuar udhëzimet e dhëna nga shkalla e dytë.“Përkundër faktit se shkalla e dytë e ka kthyer lëndën në rivendosje, ju nuk keni zbatuar sugjerimet e shkallës së dytë, ju në atë rast keni bërë prejudikimin e çështjes”- tha ai.

Kjo kërkesë për përjashtimin e gjykatëses bëri që seanca të vazhdohej për një ditë tjetër, derisa të vendoset lidhur me këtë kërkesë nga kryetari i Gjykatës Komerciale.Banorë të lagjes ‘Kalabria’ kishin protestuar më 26 dhjetor të këtij viti kundër pezullimit të punimeve në rrugën ‘Xhim Xhema’, e njohur si ‘Rruga A’.Me pankarta me mbishkrimet “Rruga A, qasje e re e lagjes në qytet!”, “Mos pengoni zhvillimin e qytetit”, “Rruga është zhvillimi”, banorët kishin shprehur kundërshtimin e tyre për pezullimin e punimeve në këtë rrugë.

Gjykata Komerciale kishte vendosur të shtyjë ekzekutimin e vendimit të nxjerrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit më 19 prill 2023, i cili ishte lidhur me prokurimin për projektin “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.Ndryshe,

Gjykata Komerciale në tetorin e këtij viti, e kishte aprovuar të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga OSHP-ja, duke pezulluar punimet në ‘’Rrugën A’’.Për këtë vendim, më 1 nëntor 2023, Komuna e Prishtinës dhe kompania “Sallahu” kanë deponuar ankesë në shkallën e dytë në Gjykatën Komerciale lidhur me pezullimin e punimeve për ndërtimet në “Rrugën A”.Më 16 nëntor 2023,

Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kishin vendosur që çështja të kthehej në rigjykim.Pas rikthimit të çështjes në rigjykim, gjykata ka marrë vendim që sërish të pezullohen punimet në ”Rrugën A” deri në një vendim përfundimtar.Ky vendim është marrë më 30 nëntor 2023, nga gjyqtarja e çështjes, Vlora Pacolli- Rexhepi.

Sipas vendimit, gjykata ka vlerësuar se shtyrja e përkohshme e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”, e iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale, është veprim i duhur që të ruhet interesi publik.“Kjo po ashtu do të evitojë çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga Autoriteti Kontraktues.

Në të kundërtën realizimi i projektit para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor do të ndikonte negativisht në besimin e publikut lidhur me shfrytëzimin e fondeve publike nga Autoriteti Kontraktues”- theksohet tutje në vendim.

Në vendimin e gjykatës thuhet se qëllimi i masës së përkohshme është të mbrojë interesin publik, duke siguruar se operatori ekonomik që kryen punimet është i përshtatshëm dhe i besueshëm, se do të kryejë punimet pa mashtrime ose manipulime, duke përmbushur në mënyrë të plotë zotimet e tij dhe duke vepruar nën përgjegjësinë ligjore.

Sipas vendimit, gjykata ka vlerësuar se pretendimi i ngritur nga paditësi “Pro & CO Group”, Sh.p.k, dhe i mbështetur në provë të besueshme, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 30 mars 2018, me të cilin drejtori ishte dënuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” paraqet një çështje serioze që e vë në dyshim edhe përshtatshmërinë e OE “Sallahu” Sh.p.k, për ndërtimin e Rrugës A – pjesa e parë.Punimet në “Rrugën A” në Prishtinë kanë filluar në prill të këtij viti./kallxo

Back to top button