Pezullohet vendimi i Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronave

Ministria e Financave ka pezulluar një vendim të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronës komunale me një pronë private. Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit Besim Kelmendi, thotë se Prokuroria ka nisur verifikimin parapenal. Ndëkrohë Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë padi për vendimin duke e cilësuar atë në kundërshtim me ligjin.

Vendimi i Komunës së Prishtinës për këmbim të një prone komunale me një pron private të, siç është thënë, ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, është pezulluar nga Ministria e Financave. Ajo tha se ka tërhequr ligjshmërinë e dhënë më parë edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe se lënda i është kthyer për rivendosje Kuvendi Komunal të Prishtinës.

“Në një vendim që ka marrë Ministria e Financave të enjten “pezullohet ekzekutimi i vendimit 01-020/04-236518/23 të dt. 26.12.2023 të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit përmes këtij vendimi të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit”, thuhet në përgjigje e Ministrisë së Financave, Punës dhe Tranfereve.

Kryetari i Prishitnës, Përparim Rama, nënshkroi një kontratë me një afarist, Rrahman Haradini për shkëmbin të një prone në Badovc me një pronë të komunës në pjesën e Prishtinës së Re. Vendimi kishte kaluar në propozim të ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari aktual i Prishitnës thuhet se me të njëjtën bazë ka propozuar këmbimin edhe të një prone tjetër. Vendimi i fundit ka kaluar edhe me ndihmën e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjithë rasti u cilësua si shkelje ligjore dhe Prokuroria e shtetit, përmes kryeperokurorit në detyrë, Besim Kelmendi, i tha RTV21 se ka nisur verifikimin parapenal.

“Pasi Prokuroria e Shtetit është njoftuar për dyshimet e ngritura në lidhje me këmbimin e pronës komunale me atë private, konfimoj se jemi në fazën e mbledhjes se informacioneve dhe se verifikimi parapenal ka filluar”, tha Kelmendi për RTV21.

Vendimi i Komunës së Prishtinës për Institutin e Kosovës për Drejtësi është shkelje meqë këmbimi është bërë pa një vlerësim paraprak të pronave. Instititi ka bërë padi ndaj komunës.

“Padia ka të bëjë me faktin që nuk zbatohet ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronave të paluajtshme komunale qoftë në kuptim të materies së tij, qoftë në kuptim të procedurës së tij. Fillimisht duhet theksuar fakti se ligji përcakton qartë se pronat komunale mund të këmbehen vetëm për interesin publik. Është e paqartë dhe vendimi nuk përmbanë arsyetim se cili është interesi publik nëse komuna e këmben një pronë që gjendet në projektin që synon ta realizoj, pra do të thotë që arsyeja e këmbimit të kësaj është realizimi i projektit “Prishtina e Re”, ndërsa prona që jepet është pikërisht në atë hapësirë të “Prishtinës së re”, ka thënë IKD për RTV21.

Por kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ditë më parë e ka arsyetuar vendimin përmes shmangies së përgjegjësinë që ka, duke u thirrur në vendimet e mëhershme të Ministrisë së Mjedisit.

“Ne si kryeqytet jemi duke zbatuar një proces të rregullt i miratuar nga Asambleja Komunale, i vlerësuar nga MAPL dhe është ende proces i papërfunduar, pra është në zhvillim e sipër. Kemi ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe procedural në bazë të vlerësimeve të bëra nga ministritë përkatëse, pasi që pala ka pasur vendime të miratuara nga ministritë për këmbim të pronës, e që e oligon kryeqytetin me vepru… Ministria e Financave ka me përcaktu sa tokë kemi me dhanë, pra Ministria e Financave është i vetmi autoritet që e bën vlerësimin e pronave e jo ne”, ka thënë Rama.

Shpronësimi është problem i theksuar në Kosovën e pasluftës, thotë Driton Tafallari, njohës i çështjeve të legalizimit. Sipas tij Kosova përballet me mungesë shumë të madhe të pronës publike.

“Sipas ligjit është e paraparë që shpronësimi të bahet në mjete financiare edhe në ligj është e specifikume mjaft mirë se cilat raste mund të bahet një gjë e tillë dhe ajo që ndoshta është kryesore është shpronësimi kryesisht bëhet kur ka nevoja shtetërore për një gjë të tillë sidomos në rastet kur kërkohet zgjerimi i infrastrukturës, rrugëve e të tjera”, ka thënë Tafallari për RTV21./21Media

Back to top button