Pfizer dhe Moderna rrisin çmimet e vaksinave për kontratat me BE
Pfizer dhe Moderna kanë rritur çmimet e vaksinave kundër COVID-19 për Bashkimin Evropian.
Sipas një raporti të britanikes “Financial Times”, një dozë vaksine Pfizer do i kushtojë BE-së 19,5 euro nga 15,5 euro sipas kontratave të vjetra, ndërsa Moderna e ka rivlerësuar vaksinën e saj në 25,5 euro nga 22,6 euro.
Çmimet e reja reflektojnë kërkesën e lartë për vaksina efektive, thonë ekspertët, ndërsa vetë kompanitë nuk kanë komentuar për shkak të politikave të konfidencialitetit me kontratat.
Duke njoftuar më 27 korrik se ka arritur objektivin e vaksinimit të 70 për qind të popullsisë së rritur, BE planifikon të sigurojë më shumë se 1 miliardë doza vaksine deri në fund të shtatorit.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) deri më tani ka lejuar përdorimin e vaksinave të prodhuara nga kompanitë Pfizer/Biontech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson në vendet e BE-së. EMA vazhdon vlerësimin paraprak të vaksinave Sinovac, Curevac, Novavax, Sputnik V dhe Sanofi Pasteur./21Media