Lekaj paditë Durmishin: Duhet ta rrudhin gojën ose do t’ju rrudhet xhepi

Deputeti i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka dorëzuar padi për shpifje dhe fyerje ndaj zv.ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Lekaj këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Sot e dorëzova padinë kundër fyerjeve dhe shpifjeve të zëvendës ministrit të MMPHI, H.Durmishit, i cili në një emision televiziv më quajti mua dhe bashkëpunëtorët e mi gjatë mandatit tim si ministër, si një “grup kriminal”. Janë mësuar tani e një kohë të gjatë të vjellin vrerë, me fyerje e shpifje të paskrupullta kundër meje, kudo që kanë pasur mundësi. Bile me këto janë krekosur para popullit edhe si guximtar, duke u fshehur prapa imunitetit që ofron ligji kundër fyerjes dhe shpifjes për gjithë ato që fliten në Kuvend dhe në komisione parlamentare nga kushdoqoftë. Duke e parë se mosreagimi im po e nxitë edhe më shumë shpifjen dhe fyerjen kundër meje, vendosa që t’i drejtohem gjykatës. Aty duhet të tregojnë fakte për vërtetësinë e deklaratave të tyre. Tani e tutje, ose duhet ta rrudhin gojën ose do t’ju rrudhet xhepi. Zgjedhja është e tyre!”, ka shkruar Lekaj./21Media
 

 
Back to top button