Pijet energjike cenojnë shëndetin e fëmijëve

Në Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së është rritur numri i komplikimeve shëndetësore tek fëmijët si pasojë e përdorimit të pijeve energjike. Kjo dukuri është vërejtur edhe në shkolla, e sidomos tek klasët 6-9, të cilët fshehurazi marrin këto pije në shkolla.
Pijet energjike janë ndër më të konsumuarat edhe në mesin e fëmijëve, ndonëse për moshat e reja këto pije janë të ndaluara.
Konsumi i tyre po ndodh në shumicën e shkollave të Prishtinës.
Drejtori i Shkollës së Gjelbër, Besart Ismajli, deklaron se kjo shkollë ka rreth 12 vjet që funksionin me një rregullore të brendshme e cila ndalon përdorimin e pijeve të gazuara e energjike, mirëpo kohëve të fundit kjo dukuri është e shfaqur më shpesh nga klasa e 6-të në të 9-tën. Ai thotë se e kanë vështirë të kontrollojnë përdorimin e tyre.
“Ka nxënës të cilën me vetëdije të prindërve apo pa marrin. Në momentin që nxinet nga kujdestari apo nga mësimdhënësi, ato konfiskohen. Në ciklin e ulët 1-5 është më e menaxhueshme, ndërsa 6-9 është pak më problematike. Rregulli i shkollës është të mos përdoren pije energjike por edhe të gazuara. Rregullorja e brendshme është qe 12 vite. Tek cikli i lartë është mjaftë i shprehur ose përdorin gjatë ardhjes në shkollë e marrin dhe e pijnë në pushim të gjatë”, tha Ismajli për rtv21.tv.
Pijet energjike shkaktojnë problem në shëndetin e konsumuesve të të gjitha grupmoshave, por më rrezikuarit janë fëmijët.
Në klinikën e Pediatrisë në QKUK, thonë se janë shpeshtuar rastet e komplikimeve shëndetësore për shkak të këtyre pijeve.
Pediatrja Urata Efendija flet për pasojat e abuzimit me këtë lloj pije.
“Kohën e fundit kemi pasur mjaftë raste që janë lajmëru për shkak të komplikimeve nga pijet energjike. Sidomos tek fëmijët, tek adoleshentët, të cilet i përdorin pijet pa llogaritë per efektet anësore të tyre. Efektet anësore që janë ma tepër janë crregullimet e zemrës, të sistemit kardiovaskular, perfshirë crregullimet e ritmit, hipertensionin deri në dështimin kardiak. Efektet tjera që paraqiten në sistemin nervor, janë crregullimet e gjumit dhe deficiti neurologjik. Organet tjera vitale që pësojnë, janë mëlçia, ku vërehen crregullime, tek veshkët, dehidrimi apo humbja e lëngjeve. Sasia e kafeines në këto pije është e dëmshme…është dukuri në rritje, më herët kemi pasur më pak përdorim të këtyre pijeve”, ka thënë Efendija.
Ligji për Ndalimin e Përdorimit të Pijeve Energjike për Personat nën 18 vjeç ende nuk është miratuar në Kuvend. Në të parashihet që pijet energjike të vendosen në raftet e pijeve alkoolike dhe në ambalazhet e tyre të figurojë mosha +18, por këto rregulla nuk aplikohen, derisa ligji të miratohet dhe të hyjë në fuqi./RTV21/21Media