Pink Floyd publikon këngë për të ndihmuar Ukrainën

“Hey Hey Rise Up” titullohet kënga të cilën e realizuan anëtarët e bendit Pink Floyd: David Gilmour e Nick Mason, me vokal të këngëtarit ukrainas Andriy Khlyvnyuk nga bendi BoomBox. Anëtari i Pink Floyd, Roger Waters, i cili braktisi bendin në vitet e 80-ta, nuk u përfshi në këtë projekt.
Kënga është patriotike ukrainase ku shihen skena nga lufta, të cilat Khlyvnyuk i xhiroi në Kiev pranë katedrales St. Sophia, e të cilat i postoi në mediet sociale.
Gilmour, i cili me bendin BoomBox interpretoi në Londër në vitin 2015, ka thënë se videoja është një moment i fuqishëm, dhe pikërisht ajo e ka nxitur që të realizojnë këtë këngë.
Pas invazionit rus në Ukrainë, Khlyvnyuk ndërpreu turneun muzikor në SHBA dhe u kthye në Ukrainë për të luftuar me forcat terroriste.
Gilmour ka treguar se Khlyvnyuk, i cili ishte duke u trajtuar në një spital për shkak të lëndimeve që kishte marrë në luftime, ka shkruar tekstin e këngës dhe një pjesë të saj e ka incizuar me telefon.
Paratë e fituara nga kënga do të shkojnë për Fondin Humanitar të Ukrainës.
Gilmour ka thënë poashtu se me këtë bashkëpunim duan të tregojnë se përkrahin Ukrainën, se pjesa më e madhe e botës mendon se është gabim që një superfuqi të pushtojë një vend të pavarur demokratik siç është Ukraina.
Bendi “Pink Floyd” u themelua kah mesi i viteve të 60-ta në Londër. Ai veçohet për një radhë këngësh, si “The Dark Side of the Moon” , “Wish You Were Here” dhe “The Wall”.
Anëtari Roger Waters, la bendin në vitin 1985, dhe anëtarët tjerë të tij për herë të fundit realizuan album në vitin 1994. Ai tutullohet “The Division Bell”. Pas vdekjes së anëtarit Richard Wright në vitin 2008, Gilmour tha se dyshon që “Pink Floyd” do të interpretojnë më bashkë, megjithatë u bashkuan për të treguar përkrahjen për popullin ukrainas./21Media

Back to top button