Pjesa më e madhe e të rinjve duan të ikin nga Maqedonia e Veriut!

Pjesa më e madhe e të rinjve apo 58% duan të ikin nga Maqedonia e Veriut, e vetëm 6% prej tyre do të ktheheshin sërish në vendlindje, tregojnë rezultatet e studimit të Fondacioni për Demokraci Vestminister. 65% e personave të ri nuk janë të kënaqur nga pozita e tyre në vend, tregojnë të dhënat e anketës ku janë pyetur 1.000 të rinj.
“Ajo që shohim është se kemi një nivel të lartë të pakënaqësisë te të rinjtë, pra ata vetë ndjehen se janë në një vend ku shteti nuk kontribuon në përmirësimin e standardit të rinisë. Çfarë na tregon kjo, fillimisht që kemi nivel të lartë pakënaqësie nga të rinjtë, në aspekt se si shteti përkujdeset për këtë kategori qytetarësh dhe e dyta se kemi diskrepancë të madhe të mundësive në nivel lokal dhe qendror”, tha Petar Barllakovski, kryetar i Forumit Arsimor të të Rinjve.
Sipas analistit Albert Musliu problemet kryesore për të cilat të rinjtë largohen nga vendi janë cilësia e jetës, siguria, niveli i lartë i korrupsionit dhe partizimi i institucioneve.
“Kostot janë serioze, kostot e largimit nuk janë që shihen menjëherë por janë kosto që i shihni pas një periudhe, te ne hetohet edhe mungesa e fuqisë punëtorë. Për të punësuarit do ta ketë atë efektin pozitiv sepse do të fillojë të shtrenjtohet edhe kostoja e punës, që mund të jetë motiv plus që disa edhe të fillojnë të kthehen. Nëse rregullohet çështja e partizimit, korrupsionit, sundimit të së drejtës mundet që kategoritë më të larta profesioniste, të rinjtë do të hapin biznese e veta këtu”, tha Albert Musliu, drejtor, Asociacioni për Iniciativa Demokratike.
Për t’i mbajtur të rinjtë në vend është me rendësi që ata të kyçen apo të marrin pjesë në krijimin e politikave vlerëson Tanja Tomiq, eksperte për krijimin e politikave publike.
“Mendoj se më të rëndësishme e kanë cilësinë e jetës, kjo është ajo që e ndjekin kur shpërngulen nga fshati në qytet ose kur shpërngulen jashtë shtetit. Pa marrë parasysh çfarë të ardhura kanë këtu. Shumë të rinj vendosin të ikin edhe për shkak mundësive që i kanë në shtete tjera, në aspekt të jetës sociale, ngjarjeve kulturore, mundësive arsimore etj. Mendoj se këto janë fushat ku shteti duhet të fokusohet të gjejë zgjidhje, që do t’i tërheqin të rinjtë të qëndrojnë në vend”, tha Tanja Tomiq, eksperte e politikave publike.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Punës dhe politikës sociale, Vlladimir Krasiq thotë se shpërngulja si proces nuk po ndodh vetëm tani. Ai vlerëson se pakoja e masave që ka sjell ministria përkatëse, siç është plani operativ, do të ndikojë në uljen e emigracionit. Krasiq thotë se papunësia te të rinjtë ka rënë nga 37% në 28% në vitin 2021, gjë që ai që e llogarit si sukses./TV21

Back to top button